Hovi i agroturizmit, fshati Labovë e Kryqit në nismën “Best Tourism Villages”

10

Përmes mbështetjes së dhënë ndaj turizmit rural në programet e Ministrisë së Bujqësisë, në gjithë vendin kanë marrë jetë bujtina familjare që po i japin një hov të ri zhvillimit të agroturizmit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me atë të Turizmit me mbështjetjen e GIZ Albania aplikuan në nismën “Best Tourism Villages” e iniciuar nga UNWTO që fshati Labovë e Kryqit të zgjidhet një nga fshatrat turistikë më të mirë në botë. Ky program promovon fshatrat e të gjithë botës të cilat janë destinacione të turizmit të qëndrueshëm dhe mbështesin traditat, kulturën apo asetet natyrore përkatëse.
Gjatë javëve në vijim, me një seri postimesh do t’ju prezantojmë me aspekte të ndryshme kulturore, ekonomike, sociale dhe turistike të këtij fshati kaq të larmishëm.​
Labova e Kryqit, është një nga fshatrat e shquar të rajonit jugor të Shqipërisë në Bashkinë e Libohovës. Emri i këtij fshati lidhet me kishën e Shën Mërisë së Kryqit, si një nga monumentet më të rëndësishme në vend dhe rajon e cila gëzon statusin e “Monument Kulture të Kategorisë së Parë”. I vendosur rrëzë vargmaleve dominuese të luginës së Drinos, fshati është lehtësisht i aksesueshëm nga Libohova dhe Gjirokastra me një distancë prej 27 kilometrash.
Labova paraqet një identitet të fortë në të gjithë zinxhirin e fshatrave që hyjnë në luginën e Drinos. Pasuria e dimensionit të saj fizik dhe jofizik përbën një surprizë të jashtëzakonshme për këdo. Ndërthurja e vlerave kulturore si kalaja e Labovës rreth 2300 vjeçare apo gërshetimi i mikpritjes vendase me kulinarinë janë veçori që e bëjnë Labovën e Kryqit të përzgjidhet pjesë e fshatrave më të mirë të turizmit në botë nga UNWTO​.
/ata.gov.al