Igli Mezini, balerini shqiptar që ka ngjitur skenat më madhështore të botës

81

Balerini shqiptar Igli Mezini ka kërcyer në shumë skena të njohura të botës. “Sydney Opera House”, “Cultural Center Hong Kong”, apo “Teatro Mayor Bogotá”, janë vetëm disa nga skenat ku balerini 27-vjeçar, ka kërcyer duke rrëmbyer duartrokitje pafund.

Stacioni i radhës është Zvicra, ku prej kohësh ai po punon dhe jeton, duke përfaqësuar kulturën dhe artin shqiptar.

Igli Mezini, i nisi mësimet e para në kursin e baletit pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Tiranë, në moshën 7 vjeçare. Gjatë viteve, dashuria për kërcimin iu shtua më tepër, e falë përkrahjes së vazhdueshme të familjes, ai ktheu pasionin e tij në profesion, duke u diplomuar kështu në Shkollën Profesionale Kombëtare të Baletit.

Pas shtatë vitesh studimi dhe pas pjesëmarrjes në evente të ndryshme artistike në Tiranë, përfshi edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, në moshën 18 vjeçare Igli fitoi audicionin në një nga shkollat më prestigjioze të artit në Kanë të Francës, “Rosella Hightoëer”. Mundësia për të studiuar në  “Rosella Hightower”, i dha atij një shtysën të niste një eksperiencë të re, krejt i vetëm, por me një ëndërr të madhe nga pas.

Tre vite eksperiencë në Kanë i mundësuan artistit të ri të performojë në disa skena të rëndësishme të botës, si; Itali, Austri, Spanjë, Turqi, Kolumbi, Australi, Gjermani, Hong-Kong, Pekin, Singapor e të tjera, ku nga më të rëndësishmet ishte dhe pjesëmarrja në “Festival de Film de Cannes” në vitin 2013, si pjesë e trupës së kërcimit në hapjen gala me “The Great Gatsby” krah Leonardo Di Caprios, Lana del Rey, e yjeve të tjerë me famë botërore.

Igli Mezini, i përkushtuar ndaj pasionit të tij për artin e baletit, në gusht të vitit 2014, merr pjesë në audicionin e teatrit shtetëror të Wiesbaden, Gjermani, i njohur për historinë e sukseset qindra vjeçare, ku siguroi një kontratë si solist.

Prej janarit të 2018-ës, Igli i bashkohet kompanisë prestigjioze të Angjelin Preljocaj në Jug të Francës, një kompani e mirënjohur për shfaqjet anë e mbanë botës. Gjithashtu, bëhet pjesë e një filmi me metrazh të shkurtër të xhiruar në Marsejë, me regji të Valerie Muller dhe Angjelin Preljocaj, mundësuar nga Komisioni Evropian.

Prej gushtit të vitit 2019, Igli Mezini ju bashkua Kompanisë së Baletit “Linga” në Lozanë, ku ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme. Prej gushtit të vitit 2019, ai u zhvendos në Lucernë të Zvicrës, ku ushtron profesionin si solist në Teatrin e qytetit, ku me një repertor shumë të larmishëm ka shfaqur dhjetëra performanca në sezon.

Ndërkohë, që prej shtatorit të këtij viti, Igli Mezini, zotëron Liçencë në Arte nga Bashkimi Evropian dhe  drejton workshop-e kërcimi në disa universitete të artit në Evropë e në kompani të ndryshme baleti.