Laboratori modern i DPA/ Ja si mund të aplikoni online për restaurimin e dokumenteve

16

Me rastin e ditës Europiane të Konservimit dhe Restaurimit Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi risinë e re mbi aplikimin online të restaurimit të dokumenteve, pranë Laboratorit Qendror të Restaurimit, i ristrukturuar dhe riformatuar gjatë vitit 2019 me një metodologji bashkëkohore.

Laboratori hapi dyert përtej institucionit të tij, duke bërë të mundur përfshirjen e çdo individi, personi fizik, juridik, privat ose publik.

“Tashmë çdo qytetar te faqja jonë zyrtare restaurim.arkiva.gov.al do të mund të kërkojë restaurimin e dokumenteve nëpërmjet një formulari të thjeshtë ku përfshihet emër, mbiemër, email dhe disa foto të dokumentit që do të ndihmojnë restauratorët përkatës të realizojnë ndërhyrjet restauruese të dokumenteve që marrin në dorëzim me qëllim konservimin, rimëkëmbjen, rehabilitimin, rekuperimin, shpëtimin e dokumenteve me shkallë të ndryshme degradimi”, – theksoi DPA.

Sipas DPA, laboratori merret me konservimin dhe restaurimin e llojshmërisë së dokumenteve në suport letër, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike të objekteve të së kaluarës, të cilat janë mbartës të qytetërimit njerëzor në funksion të transmetimit të së ardhmes. Restauratorët ruajnë sekretin e përmbajtjes së dokumenteve duke mos dhënë informacione të paautorizuara.

Tarifat e restaurimit janë të përcaktuara për çdo ndërhyrje përkatëse duke u bazuar në preventiv materialesh dhe interval kohe. Përgjigja për çdo kërkesë kryhet brenda 2 ditëve pune.

DPA fton çdokënd që ka një letër që koha apo faktorë të tjerë e kanë dëmtuar, të shfrytëzojë këtë mundësi që ofron DPA, përmes faqes restaurim.