Importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, rritje me 4.1 %

6

Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 4.1 % gjatë janarit, duke arritur në 12.6 miliardë lekë nga 10.3 miliardë lekë që ishin në janarin e 2022-shit.

Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2022 importet e këtij grupi llogariten 187 miliardë lekë.

Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.

Gjithsej nga Italia gjatë janarit u importuan 2.3 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Nga Kina u importuan 2.7 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Gjermania u importuan 2 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Fluksi hyrës i IHD-ve në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Pavarësisht situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19, dhe luftës në Ukrainë, sërish Shqipëria paraqet interes për investitorët e huaj.

Investimet e huaja direkte shënuan rritje me bazë vjetore prej 35% gjat[ 9-mujorit t[ 2022, duke arritur në 984 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të tretë 2022, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e hidrokarbureve, në masën 25%, ndërmjetësimit financiar, në masën 11%, e energjetikës në masën 8%, si dhe komunikacionit, në masën 2% të totalit.

Rritja e fortë e çmimeve të naftës bruto në periudhën që pasoi shpërthimin e luftës në Ukrainë duket se ka nxitur shtimin e investimeve me qëllim rritjen e prodhimit nga kompanitë nxjerrëse edhe në Shqipëri.

/ata.gov.al