INSTAT: Numri i vizitorëve në mars, rritje me 29.8%

2

Fluksi i turistëve në muajt e parë të vitit përcjell sinjale pozitive për një sezon të mbarë turistik.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin sipas të cilit numri i vizitorëve në mars 2023 është rritur me 29.8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje ka shënuar edhe numri i vizitorëve rezidentë me 15.9 %, si dhe numri i vizitorëve jo-rezidentë me 46.6 %.

Referuar të dhënave, numri i netëqëndrimeve gjithsej u rrit me 36.1 %, në krahasim me marsin e 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e tjerë, ai i netëqëndrimeve nga turisti rezident, i cili u rrit me 25.8 %, si dhe ai i netëqëndrimeve nga jorezidentët me rritje 44.9 %.

Nga ana tjetër, numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 77.8 %.

Gjatë marsit, norma e shfrytëzimit të dhomave të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 9.6 %, kundrejt 8.7 % që ishte në muajin mars 2022.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 10.8 %, kundrejt 7.7 % që ishte në muajin mars 2022.

/ata.gov.al