INSTAT publikon statistikat për vitin 2020, si është rritur prodhimi bujqësor në Shqipëri

16

Shqipëria është ndër vendet me peshë të lartë të bujqësisë në  Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), rreth 20%, ndërsa jep një kontribut me rreth 36 % në punësim.

Skemat e IPARD-it dhe ato kombëtare po mbështesin prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë për futjen e teknologjisë dhe teknikave moderne me. Fermerët që mbështeten janë ata që paraqesin projekte që i sjellin më shumë vlerë të shtuar sektorit, rrisin konkurrencën brenda sektorit dhe nxisin përpunimin bujqësor.

INSTAT publikoi sot statistikat e bujqësisë për vitin 2020. Referuar të dhënave, pavarësisht nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID-19, prodhimi i perimeve është gati 1.3 milionë tonë, duke shënuar rritje vjetore me rreth 3 %, krahasuar me vitin 2019.

Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier Berat dhe Tiranë.

Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja, e cila zë mbi 35% të vëllimit, kastraveci rreth 13% dhe speci mbi 11 %.

Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21,81 % të prodhimit gjithsej të perimeve nga ku 50,86 % e këtij prodhimi i përket qarkut Fier. Prodhimi në serra është rritur me 5,18 %, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa 65% e volumit u prodhua në Berat.

Prodhimi i pemëve frutore llogaritet 274 mijë tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore shënohet në qarkun e Korçës me 82.007 tonë.

Krahasuar me një vit më parë, sipas INSTAT, prodhimi i ullinjve shënoi rritje me mbi 34% duke arritur në 132 mijë tonë ullinj.

Edhe prodhimi i agrumeve shënoi rritje me 5 %. Referuar të dhënave prodhimi i agrumeve në vitin 2020 është mbi 49 mijë tone, mbi 65 % e prodhimit gjithsej të agrumeve e zënë mandarinat.

Kjo tendencë në rritje e prodhimeve bujqësore i atribuohet kryesisht edhe kërkesës së lartë për produkte “Made in Albania” në tregjet e huaja.

Eksportet e produkteve bujqësore në vitet e fundit janë katërfishuar duke arritur në 400 milionë dollarë nga 100 milionë dollarë në 2013-n. Po ashtu edhe sipërfaqja e tokës së punuar është dyfishuar.