Inxhinieri amerikan lë Kaliforninë dhe punon tokat në Vlorë: Do mbjell 100 hektarë grurë

488

Brandon Russomanno nga Kalifornia, kishte dëgjuar vetëm një herë për Shqipërinë, para se të vendosej përfundimisht në fshatin Beshisht të Vlorës.

“Jam i dashuruar me tokën dhe vendosa të investoj pikërisht këtu në Vlorë. A kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë? Të jem realist jo. Por, unë falë edhe faktit se nëna ima ka prejardhje nga Italia, për pushime çdo verë shkoja në Itali dhe aty dëgjuar fillimisht për Shqipërinë. Gushtin e kaluar erdha për pushime ku dhe vendosa të investoj. Në Kaliforni toka kushton shumë shtrenjtë dhe unë e dua tokën”, tha Russomanno.

Me profesion, Brendon është inxhinier elektronik, por pasioni për tokën, i ka dhënë jetës së tij një rrjedhë krejt tjetër.

“Në Kaliforni kam punuar në fushën e informatikës. Duket e çuditshme që nga IT kam zgjedhur të jem në një fushë tjetër, por kjo më pëlqen. Prindërit e mi jetojnë në Kaliforni, ku janë edhe miqtë e mi. Ndoshta do të më dëgjojnë, që në një të ardhme edhe ata të vijnë e të investojnë në këtë vend kaq të bukur”, u shpreh ai.

Larg familjes,  Brendon duket se ka gjetur një derë të hapur tek Spiro Balliu, në tokat e të cilit ai synon të plotësojnë ëndrrën e kahershme. Prodhimet do të jenë organike dhe hapi i radhës, blegtoria.

“Qëllimi është të mbjell fillimisht produkte organike, por investimi do të vijojë edhe në blegtori dhe ngritjen e serave. Jane rreth 100 hektarë tokë që do të jenë pjesë e investimit, ku veç serave për prodhime organike, do të bashkëpunoj me Spiron dhe shokun tim nga Gjermania Bernardin, që të investojmë edhe në grurë e misër“, thotë Brendon.

Brendon synon të mbjell 100 hektarë me grurë e misër, në tokën që ia ka marrë fermerit shqiptar me qira.