IPARD II/ Dokumentet që duhen të dorëzojnë fermerët për të përfituar deri në 25 mijë euro

58

Fermerët dhe sipërmarrësit që duan të përfitojnë grante nga programi IPARD II, duhet të aplikojnë në zyrën e Agjencinë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, me një projekt teknik dhe plan biznesi për investim mbi 25 mijë euro.

Për shumat deri 25 mijë euro kërkohet një projekt teknik dhe për vlera investimi më të mëdha është e nevojshme edhe plani i biznesit. Ndërsa dokumentet shoqërues kryesore janë: certifikatë pronësie, leje për ushtrim biznesi, certifikatë familjare.

Tri masat ku adresohet mbështetja e IPARD II 

IPARD II mbështetet nga fondet e Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian, në vlerën 57.6 milionë euro.

Masa 1 – Investime në fermë, me një minimum prej 10 000 EURO dhe maksimum 500 000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.

Masa 3 – Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me një minimum prej 25 000 EURO dhe maksimum 2 000 000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Masa 7 – Investime në diversifikimin e ekonomisë në fshat, me një minimum prej 10 000 EURO, maksimumi 400 00 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Investimet që mbështet thirrja e dytë e IPARD II përfshijnë të gjithë territorin e vendit. Aplikuesit duhet të kenë mjete të mjaftueshme financiare për të financuar paraprakisht investimin, ndërkohë që duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet mbështetëse të kërkuara sipas formularëve përkatës dhe Plan Biznesin. Po kështu duhet të jenë pronarë të tokës apo ndërtesave ku ushtrohet aktiviteti bujqësor, ose ta kenë me qira 10-vjeçare. Për ata që kanë investime në pajisje dhe makineri, ato duhet të jenë të reja dhe të respektojnë rregullin e origjinës nga vendet e BE-së.