IPARD II, thirrja e tretë / Nis nesër aplikimi për fermerët për të përfituar ndihmë financiare

19

Fermerët dhe agrobiznesi nga nesër deri në 25 janar 2021, kanë afat për dorëzimin e aplikimeve për të përfituar grante nga thirrja e tretë e programit IPARD II me qëllim zhvillimin e sektorit agro ushqimor.

Thirrja e III për aplikime është e hapur për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agropërpunimit dhe rural.

Programit IPARD II synon mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, si dhe mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milion euro nga të cilat 75% ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25% ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

Masa e grantit fillon nga 60% e investimeve të lejuara. Për fermerët e rinj masa e grantit shkon në 65% dhe për fermerët për zonat malore masa e grantit shkon në 70%.

Në thirrjen III, për masën 1 “Investime në asete fizike në fermat bujqësore” do të mbështeten të gjithë sektorët e përcaktuar në programin IPARD II, qumësht, mish, fruta – perime dhe vresht.

Ndërsa për masën 3, ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” do të mbështetet vetëm sektori përpunimit të fruta-perimeve, dhe jo sektorët e tjerë të kësaj mase.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural prej disa ditsh ka zhvilluar sesione informuese për fermerët se si mund të aplikojnë për të qenë përfitues të këtyre skemave.