Ja proçedura e re për të përfituar nga programi i strehimit social

26

Është miratuar procedura dhe dosja e re e dokumenteve që duhet të dorëzojnë familjet në nevojë dhe kategoritë e tjera për të përfituar nga programet e strehimit social.

Sipas vendimit, aplikimi do të bëhet në dy faza. Në çdo rast, aplikimi për të përfituar strehim nga këto programe do të bëhet pranë strukturave përgjegjëse të qeverisjes vendore ku aplikuesi ka vendbanimin e tij.

Sipas VKM-së, të drejtën për aplikim për përfitimin nga programet sociale e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç, kujdestarët ligjorë për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar, dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, të cilat plotësojnë kushtet për strehimin social.

Të drejtën për aplikim e kanë edhe individët apo familjet rome të paregjistruar në zyrën e gjendjes civile të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku aplikojnë, për të cilët njësia e vetëqeverisjes vendore ka informacion se banojnë në atë njësi të vetëqeverisjes vendore.

Aplikimi i të miturve nën moshën 18 vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastet kur, bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre, bëhet me kërkesën e një përfaqësuesi të caktuar me vendim gjykate ose akt administrativ.

Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata individë apo familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit.

Individi apo familja paraqet kërkesën për të përfituar nga programet e strehimit social në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave.

Aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Personat që ekzekutojnë dënimin penal me burgim mund ta paraqesin kërkesën pranë institucionit ku gjenden të ndaluar ose ku ekzekutojnë dënimin penal me burgim.

Faza e dytë e aplikimit fillon kur njësia e vetëqeverisjes vendore planifikon zbatimin e njërit prej programeve apo instrumenteve të strehimit social. Aplikantët mund të refuzojnë programin e strehimit dhe të mbeten përsëri në listën e pritjes, vetëm kur nuk u plotësohet strehimi sipas normave në fuqi.

Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren.