Ndodh shpesh që shumë njerëz kanë një potencial të madh në një fushë të caktuar, por nuk arrijnë ta shprehin atë. Nëse edhe ju bëni pjesë në këtë grup njerëzish dhe keni fatin që të keni aftësi apo thjesht edhe ndonjë dëshirë në ndonjë fushë të caktuar profesionale, mbase ka ardhur momenti i duhur që të mblidhni forcat dhe të impenjoheni në një punë të dytë, të cilën mund ta menaxhoni edhe nga shtëpia.
Pengesat më të mëdha në këtë drejtim janë mbase ato të fazës fillestare, ndaj ne ju vijmë në ndihmë me disa këshilla për të shndërruar pasionin tuaj në një profesion, në një punë të dytë. Ky artikull është bazuar kryesisht në librin me titull: “Ekonomia për ju” të autores Kimberly Palmer.
1- Tregohuni inteligjent në fazat fillestare
Kur keni një punë të dytë nuk është e thënë që duhet të shpenzoni më shumë para. Më e rëndësishmja në këtë fazë është që të bëni hapin e madh dhe kjo do të jetë më e lehtë nëse të ardhurat tuaja nuk do të jenë të mëdha. Sipas Palmer, buxheti fillestar për të nisur një punë të dytë nuk duhet të jetë më shumë se 100 dollarë. Shifra më të larta se kjo do t’ju bënin që të ecnit në një terren të minuar.
Për të shmangur shpenzimet fillestare, këshillohet që të përdorni instrumente marketingu të tillë si: Facebook, Twitter, Linkedin, apo edhe blogu juaj personal.
2- Guxoni
Asnjë ide është nuk është e gabuar, sidomos në momentin që ju jeni në fazë fillestare dhe po eksperimentoni. Prandaj mos kini frikë të guxoni, sepse shumë persona e kanë zbuluar talentin apo pasonin në një fushë të caktuar fare rastësisht, por gjë kjo që ua ka shtuar atyre të ardhurat financiare.
Nëse nuk jeni të sigurt për suksesin që do të ketë produkti juaj në treg, atëherë testojeni atë fillimisht në rrjetet sociale për të parë rezultatin që do të arrini.
Një ndër avantazhet më të mira të rrjeteve sociale online, është se janë shumë të thjeshta për t’u përdorur dhe mbi të gjitha janë shumë ekonomikë.
3- Mos e fshihni aktivitetin tuaj të dytë
Nëse merreni me një punë të dytë nga shtëpia, ju shqetësoheni sepse keni frikë se mos ketë ndikim në punën tuaj aktuale dhe mos ju krijojë pengesa, por nuk duhet të shqetësoheni më, sepse sipas disa studimeve të fundit, një lloj iniciative e tillë është aprovuar edhe nga sipërmarrësit. Kjo gjë ndodh sepse të pasurit e një pune të dytë, mund të ndikojë edhe në shtimin e njohurive dhe aftësive tuaja, të cilat ju mund t’i përdorni edhe në punën aktuale.
4- Mjeshtër në menaxhimin e kohës
Në ditët e sotme, shpeshherë ndeshemi me shprehjen: “Nuk kam kohë”, e cila përdoret sidomos nga ata persona që merren me shumë gjëra njëkohësisht. Prandaj, nëse do të keni edhe një punë të dytë, ju mund të rrezikoni që të mos keni kohë mjaftueshëm për të përfunduar punët tuaja. Pyetja që lind natyrshëm në këtë pikë është: Si të veprojmë?
Provoni gjithçka, që nga zgjimi disa orë më herët në mëngjes, deri te shfrytëzimi i kohës së lirë gjatë pushimit të drekës apo edhe gjatë fundjavës për të mbyllur ato punë të cilat nuk mundët t’i përfundonit gjatë javës.
Përdorni axhendat dixhitale si kalendari i Google për të shënuar të gjitha detyrat që duhet të përmbushni gjatë javës. Kurseni sa më shumë kohën tuaj duke mos u marrë me punët e shtëpisë, p.sh blini online, ose paguani dikë tjetër që psonisë për ju.
Në përgjithësi, gjëja më e rëndësishme është që të dini të menaxhoni kohën në mënyrën e duhur.
5- Dëgjojini klientët tuaj
Klientët tuaj të parë do të jenë ata, nëpërmjet të cilëve ju do të kuptoni se përse aktiviteti juaj është i suksesshëm. Është shumë e rëndësishme që të merrni feedback prej tyre që në fazat e para të zhvillimit të biznesit tuaj.
6- Kapërcejini me sportivitet dhe lehtësi pengesat
Kur filloni një punë të dytë nuk duhet të ndaleni në pengesat e para që do të hasni. Janë të shumtë personat që sot janë të suksesshëm, të cilët në fillimet e tyre kanë pasur jo një, por disa pengesa. Nuk duhet të shqetësoheni as për kritikat që mund të merrni, sepse si kritikat ashtu edhe pengesat që do të hasni janë pjesë e rrugëtimit të një sipërmarrësi të ri.
Burimi: Revista Monitor