Karl Gega, inxhinieri shqiptar që ndërtoi hekurudhën e Semeringut

421

Karl Gega qe inxhinier, projektues rrugësh dhe hekurudhash. Njihet sidomos për ndërtimin e hekurudhës së Semeringut, që fillon në Glognic dhe arrin në Myrcushlag. Edhe pjesa më e vështirë dhe spektakolare e kësaj hekurudhe, ajo Ercercog-Johanban (hekurudhë e arkidukës Xhovani), Vienë – Trieste, u projektua e gjitha prej tij. Karl Gega lindi në Venecie nga prindër me origjinë shqiptare. Studioi në Padovë, ku vetëm 17 vjeç mori diplomën në matematikë.

Më pas filloi karrierën e tij si projektues duke ndërtuar rrugë dhe vepra hidrike në krahinën e Venetos. Midis gjërave të tjera ndihmoi në ndërtimin e “Rrugës së Alemanjës”, rrugës që nga San Vendemiano, pranë Koneljanos, të çon në Dobiako duke kaluar nëpër Kortina d’Ampeco. Në periudhën 1836-1840 qe mbikëqyrës në Bohemi për ndërtimin e “Hekurudhës Perandor Ferdinandi” që shonte nga Bryni deri në Lundenburg. Në atë kohë (1836-1837) studio edhe botën e hekurudhave në Angli dhe në kombe të tjera europiane.

Në 1942-shin Gega u bë drejtori i përgjithshëm i Südlichen Staatsbahn-it (Hekurudhave Jugore të Shtetit) ku i takoi detyra të projektonte Hekurudhën e ardhshme Jugore, për të cilën ndërmori një udhëtim studimi në Amerikë. Përvojat që buruan nga ky udhëtim bashkëdikuan jo vetëm në projektimin dhe ndërtimin e Hekurudhës së Semeringut, por edhe në dy botime. Gega e botoi pjesën më të madhe të shkrimeve të tij paralelisht në gjuhët gjermane, italiane dhe franceze.

Pas kthimit të tij në Hekurudhat e Shtetit Austro-Hungarez, u ngarkua me projektimin e hekurudhës jugore, nga Viena në Trieste përmes Gracit, linjë hekurudhore që më pas u pagëzua në nder të arkidukës Giovanni d’Asburgo si “Linja Arkidukë Xhovani”, por që kaloi në histori si “Hekurudha Jugore” meqë lidhte kryeqytetin e Perandorsë me jugun.

Në atë periudhë, shumë vetë menduan se përshkimi hekurudhor i Semeringut ishte teknikisht i ndërlikuar, madje i kotë. Por që më 1848-ën Gega paraqiti një projekt që e kalonte rrugën me lokomotiva normale, pa iu drejtuar kremaljerave. Edhe më parë se të vendosej nisja e punimeve, Gega porositi ndërtimin e lokomotivave të përshtatshme për kapërcimin e pjerrësive të tilla.

Punimet filluan më 1848-ën dhe para përfundimit të tyre, më 1851-shin, mori titullin kalorës (“Ritter”). Kur më 1854-ën hekurudha u përfundua Gega kishte projektuar tashmë një rrjet hekurudhash për krejt perandorinë austriake dhe në vitet në vijim mori shumë detyra të tjera, midis të cilave ndërtimin e pjesëve hekurudhore në Transilvani.

Megjithatë Gega nuk mundi ta shihte përfundimin e kësaj vepre të fundit pasi vdiq nga tuberkulozi në Vienë, më 1860-ën. Jeta e Karl Gegës frymëzoi plot pesë romane. Në vilën e familjes, Vila Allegri Von Ghega në rivierën e Brentës në Oriago ruhet një pjesë e arkivit historik. Gegës Austria i rezervoi nderin e portretit në kartëmonedhën prej njëzetë shilingash, ndërsa në Trieste, Itali, një rrugë mban emrin e tij.

Përgatiti: Adrian Beshaj