Keni pasiguri për terminologjinë informatike? Del libri që iu vjen në ndihmë, ja ku mund ta shkarkoni falas

67
Një libër i veçantë kushtuar terminologjisë informatike, sapo ka njohur dritën e botimit.
Erion Çano shkruan se, “Terminologji informatike: problematika dhe zgjidhje”, është fryt i një pune disavjeçare në bashkëpunim të ngushtë me Prof. Edmond Tupen.
Versioni elektronik në format PDF mund të shkarkohet falas nga adresa e mëposhtme:
Çfarë trajton libri:
Problemet (që ndeshen si në bibliografi, ashtu edhe në ligjërimin e përditshëm) dhe vështirësitë e shumta që ndeshim kur përkthejmë lajme, artikuj, shkrime etj. nga fusha e teknologjisë së informacionit kanë qenë shtysa kryesore për botimin e këtij libri, sipas autorit.
Është zhbiruar fund e krye terminologjia në 31 tekste shkollore, nga të cilat 19 janë për klasat e arsimit parauniversitar dhe 12 për lëndë të ndryshme të arsimit universitar. Janë shqyrtuar gjithashtu me imtësi 2 tekste universitare në gjuhën italiane (për referenca ndërgjuhësore), 9 fjalorë të vjetër shumëgjuhësh të disiplinave tekniko-shkencore, 3 fjalorë në gjuhët angleze, italiane dhe frënge, 4 fjalorë të përgjithshëm në gjuhën shqipe (FGJSSH dhe tre të tjerë), 2 botime të natyrës informuese, 2 studime gjuhësore, si dhe 4 artikuj studimorë të viteve të fundit.
Problemet gjuhësore që vihen re janë nga më të ndryshmet. Te tekstet shkollore ndeshen shpesh renditje të palogjikshme të kapitujve dhe të njësive mësimore, përkthime me “Google Translate” të shprehjeve e fjalëve të ndryshme, mospërshtatje të prurjeve leksikore, gabime në lakimet e emrave dhe të shkurtesave, gabime logjike nga pakujdesia etj. Ajo që vihet re më shumë është pasiguria në përkthimin apo në përshtatjen e fjalëve të koncepteve, teknologjive etj.
Në libër diskutohen rreth 500 kuptime fjalësh e shprehjesh që shoqërohen me rreth 600 citime nga bibliografia. Secili citim përfaqëson një përdorim të saktë, të pasaktë ose të diskutueshëm të fjalës që shqyrtohet. Kritikohen prurje me parashtesa dhe prapashtesa të gjuhës angleze (në vend të atyre shqipe që përbëjnë veçori tipike të gjuhës), shtrembërime të shpeshta të disa fonemave (p.sh. ç dhe gj), mospërkthime të fjalëve e shprehjeve, mospërshtatje e keqpërshtatje si edhe shumë prurje që i gjykojmë të panevojshme.
Për disa fjalë që përbëjnë “mungesa”, propozohen neologjizma bazuar kryesisht te kompozimi i morfemave të shqipes. Sugjerojmë gjithashtu rijetësimin e disa fjalëve “të harruara”, të cilat janë mjaft të vlefshme për të zëvendësuar fjalët e huaja.