Këshilla/ Si të dallojmë paratë e falsifikuara nga ato të sakta, ja elementët e sigurisë

475

Falsifikimi i kartëmonedhave

Me falsifikim do të kuptojmë prodhimin e monedhave dhe kartëmonedhave nga një person apo organizatë e ndryshme nga Banka e Shqipërisë, e cila është institucioni i autorizuar me ligj për këtë funksion.

Përgjatë historisë janë falsifikuar jo vetëm paratë, por edhe piktura, bizhuteri, bileta lotarie, karta krediti, e shumë e shumë objekte me vlerë. Kuptohet që sa më shumë vlerë të ketë diçka, aq më shumë falsifikatorët do të mundohen ta falsifikojnë atë. Pikërisht, për këtë arsye kartëmonedhat falsifikohen shumë më tepër sesa monedhat metalike. Prandaj, dhe koncepti i falsifikimit lidhet më shumë me kartëmonedhat se sa me monedhat.

Falsifikimi

Qëllimi i falsifikatorëve është të mashtrojnë të tjerët për t’u pasuruar në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, falsifikimi i parasë është krim dhe për të dënohesh me burg. Për prodhimin e kartëmonedhave tona përdoren teknika shumë të përparuara, të cilat e vështirësojnë ose e bëjnë gati të pamundur falsifikimin e tyre. Përveç kësaj, prokuroria dhe policia e shtetit luftojnë që falsifikimet të mos ndodhin.

Lufta kundër falsifikimit

Niveli i falsifikimit të parasë sonë është i ulët, kjo falë edhe teknikave të fabrikimit të kartëmonedhave shqiptare. Megjithatë është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të njohim elementet e sigurisë të kartëmonedhave dhe t’i kontrollojmë ato në kartëmonedhat që na duken të dyshimta. Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që nuk jemi bërë pre e mashtrimit, por kemi ndihmuar sadopak në luftën kundër falsifikimit të parasë.

Kush na ruan nga kartëmonedhat e falsifikuara?

Për ndjekjen dhe ndalimin e kartëmonedhave të falsifikuara është përgjegjëse policia e shtetit tonë. Përveç kësaj, ka edhe grupe specialistësh të niveleve të larta të cilët hetojnë falsifikimin. Çfarë duhet të bëjmë nëse kuptojmë që një kartëmonedhë është e falsifikuar Nëse ti dyshon që një kartëmonedhë është e falsifikuar, duhet të flasësh për këtë me prindërit e tu, ndërsa ata duhet ta dorëzojnë kartëmonedhën në një nga bankat e shumta tregtare. Në çdo bankë mund të vlerësohet nëse kartëmonedha është e falsifikuar, por edhe në rast se kjo është vërtet e vështirë, bankat e sjellin kartëmonedhën pranë Bankës së Shqipërisë, e cila vendos përfundimisht për vërtetësinë e kartëmonedhës