Kombëtarja udhëton drejt Varshavës, gjithçka gati për duelin e parë me Poloninë

1

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e parë të kualifikueseve të Europianit 2024 ndaj Polonisë, që luhet sonte në mbrëmje, në Varshavë.

Delegacioni kuqezi ka udhëtuar dje paradite drejt tokës polake, duke mbërritur në mesditë për t’u akomoduar menjëherë në hotel. Pas një pushimi skuadra i është drejtuar stadiumit të ndeshjes PGE Naradowy dhe fillimisht trajneri Sylvio Mendes Campos Junior ka dalë në konferencën zyrtare për shtyp së bashku me sulmuesin Sokol Cikalleshi dhe më pas ekipi ka zbritur në fushë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se, të 23 lojtarët e grumbulluar kanë udhëtuar me ekipin me ekipin dhe janë stërvitur normalisht në një seancë pa shumë ngarkesa dhe më shumë të fokusuar tek ushtrimet me top dhe improvizime të situatave të ndryshme të lojës.

Rregullisht janë stërvitur dhe Thoams Strakosha, Myrto Uzuni dhe Armir Abrashi, i cili e ka kaluar gjendjen gripale dhe është i gatshëm gjithashtu për të luajtur në këtë premierë të edicionit. Stafi teknik ka punuar vazhdimisht me detajet për të përgatitur ekipin për çdo situatë.

I gjithë grupi është shfaqur i karikuar, duke kënaqur pritshmëritë e stafit teknik në drejtim të grintës dhe dëshirës për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për objektivat e Kombëtares.

Gjithashtu, një numër i konsiderueshëm tifozësh shqiptare do të jenë të pranishëm në stadiumin e Varshavës për të mbështetur kuqezinjtë në këtë rrugëtim të ri.

/ata.gov.al