Shumë miq sa herë vijnë nga vendet ku jetojnë, nuk duan thjesht disa ditë relaksi buzë detit, por edhe të njohin historinë e vendit të tyre. Ata duan t’i shndërrojnë në një aventurë të vërtetë ato, në një rrugëtim kulturor.
Ndaj, nëse jeni ende me dy mendje për këto pushime, Shqipëria është një destinacion i shkëlqyer nga jugu në veri. Jo vetëm për plazhet, jetën e natës, akomodimin në hotele dhe restorantet, por edhe për guidën kulturore dhe trashëgimisë që ofrohet në të gjitha këto destinacione.
Saranda, mbetet ende zonë elitare e pushimeve verore, por jo vetëm. Zemra e detit jonian, ofron mundësi edhe në aspektin kulturore historik. Në pjesën jugore të qytetit ndodhet Kalaja e Lëkurësit, mbi një kodër prej nga mund të shihet një pamje magjepsëse deri në Korfuz.
Ideale për të vizituar është tempulli antik i Finiqit dhe kisha e Shën Kollit në fshatin Mesopotam.
Pak më në jug, duke shkuar drejt Ksamilit, mund të vizitoni Butrintin. Perla e Jonit gjendet në kepin më të ulët të bregdetit jugperëndimor të Shqipërisë, e mbrojtur nga UNESCO, Butrinti konsiderohet një nga trashëgimitë e rralla kulturore.
Vendosur midis Tiranës dhe Durrësit, Gjiri i Lalzit është kthyer vitet e fundit në një destinacion drejt të cilit është rritur tej mase vëmendja. E jo vetëm prej plazheve, por së fundmi edhe prej vendeve që rezervojnë kuriozitet historik e kulturor.
Por, Kepi i Rodonit i cili është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik është atraksioni më i bukur i zonës, lidhet me emrin e Redonit, i cili mendohet se ka qenë zoti i detit sipas mitologjisë ilire.
Vlora, qyteti jugor konsiderohet një nga vendet më të frekuentuara të rivierës, jo vetëm për bukuritë, por edhe pasi shtrirja e plazheve ofron mundësi të pafundme për të shijuar pushimet.
Për ata vizitorë që kanë qenë aty për të 100-ën herë, por nuk njohin kulturën dhe historinë, Durrësi është qyteti me një histori sa vetë deti. Ndaj fillojeni vizitën tuaj në objektin më të rëndësishëm i cili është amfiteatri, më i madhi në Ballkan me 15,000 vende, i cili daton në shek. 11 pas Krishtit.
Velipoja, zona me veriore e vendit ofron një nga plazhet më të bukura dhe kurative. Disa kilometra larg ndodhet qyteti i Shkodrës, ku mund të gjeni disa nga pikat më të bukura për t’u vizituar.
Për ata që duan historinë dhe kulturën, Lezha ofron disa qendra arkeologjike dhe muzeale. Memoriali i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, mbetet më i frekuentuari, kisha e Shën Nikollës dhe vendi ku është mbajtur Kuvendi i Besëlidhjes. Pak metra më tutje ndodhet Kalaja e Lezhës, prej nga mund të shijohet një pamje që zgjatet në veri deri drejt Shkodrës.
Burimi: ATSH