Në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i qeverisë për krijimin e Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Qendra do të ketë si mision nxitjen e inovacionit dhe të gjitha proceseve të lidhura me të nëpërmjet mbështetjes, monitorimit e vlerësimit të programeve, teknologjisë dhe projekteve që i përkasin fushës së sigurisë dhe mbrojtjes.
Kjo Qendër do të ketë si përgjegjësi zhvillimin e iniciativave dhe projekteve inovative me rëndësi strategjike për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, sipas projekteve të përbashkëta dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit me persona fizikë e juridikë, publikë ose privatë, si dhe partnerë të ndryshëm për zhvillim, vendës dhe ndërkombëtarë të kësaj fushe.
Realizimi i testimeve dhe eksperimenteve për aplikimin e teknologjive të reja, produkteve industriale dhe shërbimeve me rëndësi strategjike, të përcaktuara për përdorim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe raporton për gjetjet tek autoritetet përkatëse, është një tjetër përgjegjësi e Qendrës.
Po ashtu, Qendra ka përgjegjësi mbështetjen e kërkimit, zhvillimit, komercializimit që i avancon idetë e reja të sipërmarrjes në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në faza të ndryshme zhvillimi përmes ofrimit të aksesit te mentorët, këshilltarët, trajnimet, kapitali dhe burimet si dhe ndërveprimin me ministrin përgjegjës për sipërmarrjen në masat, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e ekosistemit të startup-eve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Nxitja e projekteve të paraqitura prej strukturave të Forcave të Armatosura, institucioneve të arsimit të lartë, personave fizikë dhe juridikë, vendës dhe ndërkombëtarë, që kanë për objekt të veprimtarisë inovacionin në fushat e shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale dhe humane, që lidhen me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, është një tjetër përgjegjësi e Qendrës.
Gjithashtu, kjo qendër do të kontribuojë në nxitjen e inovacionit dhe rritjen e eficiencës në procese dhe mjete të Forcave të Armatosura, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe sistemit të sigurisë në tërësi, rritjen e sigurisë kibernetike dhe performancës së sistemeve të Forcave të Armatosura, sipas standardeve të NATO-s si dhe përmirësimin nëpërmjet inovacionit të shërbimit të komunikimit, monitorimit, zbulimit apo planifikimit në strukturat e sigurisë në vend.
Sipas vendimit të qeverisë, kjo qendër do të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të përpunimit dhe analizës së imazherisë satelitore, fotogrametrisë dhe gjeodezisë.
Qendra do të shkëmbejë informacione me institucione në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, institucionet e arsimit të lartë, qendra dhe institucione kërkimore-shkencore në vend, NATO-n dhe partnerë të tjerë për zhvillim.
/ata.gov.al