Kriteret e reja për kreditë e buta – Si do të subvencionohen familjet në nevojë

30

Qeveria ka miratuar kriteret e reja për qytetarët në nevojë që janë përfitues të kredive të buta.  Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare,  masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët është e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar.

Ndërkohë që janë institucionet qendrore apo njësitë e qeverisjes vendore ato që zgjedhin institucionin financiar përmes një konkurrimi të hapur, ndërsa vendimi për familjet përfituese merret nga Këshilli Bashkiak, pasi kanë plotësuar kriteret e vendosura.  Përjashtim, bëhet vetëm për familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%. Kur programi zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ministria përgjegjëse për strehimin mund t’i asistojë në llogaritjen e nivelit minimal e maksimal të të ardhurave të familjeve përfituese.

Kur programi financohet nga buxheti i shtetit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda kuotave të përcaktuara paraprakisht nga ministria përgjegjëse për strehimin (numrit të familjeve që përfitojnë), miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë kushtet e mëposhtme: a) Kanë të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit; b) Nuk disponojnë banesë në pronësi ose disponojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, apo janë zhvendosur nga banesat.  Pas miratimit të familjeve përfituese, marrëdhënia për nivelin e kësteve , kohëzgjatjes së kredisë dhe afatit të disbursimit vendoset me institucionet financiare.