Kurrë nuk është vonë për t’u bërë sipërmarrës!

108

Ju nuk e keni humbur shansin

Shumë njerëz mendojnë se sipërmarrja është një lojë të rinjsh. Ky supozim vjen ngaqë kur mendojmë për sipërmarrës të suksesshëm, ata që na vijnë menjëherë ndër mend janë të rinj që braktisën universitetin, si Bill Gates, Mark Zuckerberg dhe Michael Dell. Megjithatë sipërmarrësit që braktisën universitetin përbëjnë një përjashtim.

Një studim i “Kauffman Foundation”, nën drejtimin e profesorit Carl Schramm nga Universiteti i Sirakuzës, tregoi se mosha mesatare e një sipërmarrësi kur themeloi një kompani të tijën ishte 39 vjeç. Schramm shtoi se “amerikanët që janë 35 vjeç ose më shumë kanë 50% më shumë probabilitet të nisin një biznes se sa ata në moshë më të re”.

Një studim i fundit i drejtuar nga Javier Miranda nga “U.S. Census Bureau” dhe Pierre Azoulay nga MIT, tregoi se për top 0,1% të sipërmarrjeve të reja me rritjen më të shpejtë në SHBA, mosha mesatare e themeluesit të saj ishte 45 vjeç. Me pak fjalë, nuk është asnjëherë vonë për t’u bërë një sipërmarrës.

Sipërmarrësit mbi të 30-at janë më të suksesshëm

Të nisësh një biznes në mes të karrierës mund të jetë një avantazh për shumë arsye. Studimi i “Kauffman Foundation” tregoi se sipërmarrësit që nisnin një biznes në mes të karrierës kishin pesë herë më shumë probabilitet të ishin të suksesshëm pesë vjet më pas se sa sipërmarrësit që krijonin një kompani sapo mbaronin universitetin.

Kjo sepse përvoja në menaxhim është një trajnim i mirë për t’u bërë sipërmarrës. Kur jeni në të 30-at ose më shumë, keni fituar aftësi të mira, keni krijuar kontakte dhe njohjet e duhura në sektorin që ju do të ndërmerrni në sipërmarrje. Financat tuaja kanë më shumë gjasa të jenë stabël dhe t’ju japin mundësi të investoni në një kompani të re.

Sipërmarrësit mbi të 30-at kanë më shumë probabilitet të jenë të suksesshëm se sipërmarrësit e rinj, pasi duhet kohë që të njohësh veten. Gjatë karrierës suaj ju mësoni se çfarë ju pëlqen apo nuk ju pëlqen në çdo pozicion. Ku ju nisni një biznes ju mund të kuptoni më mirë pikat tuaja të forta dhe të dobëta, dhe se çfarë ju nevojitet për t’u ndier i kënaqur si qenie njerëzore.

Sipërmarrës të famshëm që ndryshuan karrierë pas një kohe të gjatë

Edhe nëse keni investuar 10 apo 20 vjet në profesionin aktual, ju mund të bëheni një sipërmarrës i suksesshëm. Më poshtë janë disa shembuj të njerëzve të famshëm që ndryshuan drejtim në karrierën e tyre pas një kohe të gjatë.

  • Vera Wang ishte redaktore te revista “Vogue” për 17 vjet para se të bëhej një stiliste e famshme në moshën 40-vjeçare.
  • Jeff Bezos kishte një karrierë të suksesshme në informatikë në “Wall Street” dhe pozicione të rëndësishme në kompani të shumta financiare para se të krijonte “Amazon” në moshën 31-vjeçare.
  • Bernard Marcus u pushua nga kompania “Handy Dan” në moshën 48-vjeçare së bashku me kolegun e tij, Arthur Blank. Të dy krijuan më pas kompaninë rivale “Home Depot”.

Nuk është kurrë momenti i duhur

Të krijosh një kompani është si të kesh një fëmijë – nuk është kurrë momenti “i duhur”. Nuk ka të bëjë aspak me moshën, ju nuk do të ndiheni kurrë gati. Çelësi është të përballeni me frikën që lidhet me tranzicionin nga punonjës në një kompani te themelimi i një kompanie. Mosha 30, 40 vjeç apo më shumë është momenti i duhur për të nisur një biznes tuajin, veçanërisht nëse keni planifikuar më parë nga pikëpamja financiare dhe nëse keni mbështetje financiare. Nëse po mendoni të nisni një biznes tuajin në mes të karrierës nuk është kurrë vonë.

Siç thotë C.S. Lewis “Nuk jeni asnjëherë i vjetër për të vendosur një objektiv të ri apo për të ëndërruar një ëndërr të re”. Ëndërroni diçka të madhe, planifikoni mirë dhe gjërat do të ndodhin”.

*Caroline Castrillon
Burimi: Revista Monitor