Lajmi i mirë/ 1177 fermerë kualifikohen për subvencionim në kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike

42

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) bën të ditur se është dyfishuar numri i fermerëve të kualifikuar përfitues, që kanë aplikuar për subvencione në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike në Skemën Kombëtare 2021.

Në listen e publikuar nga AZHBR, për masën e katërt “Bimë medicinale dhe aromatike” aplikantët e kualifikuar paraprakisht janë 1177 fermerë, kundrejt 480 fermerë që ishin për këtë masë në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi në vitin 2020.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021 ofron subvencionin për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh. Ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), jo më shumë se 4 000 000 lekë.

“Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0,2 ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0,2 ha, kur nuk është në bllok”, bën të ditur AZHBR-ja.

AZHBR njofton se të gjithë subjektet që kanë aplikuar dhe janë kualifikuar përfitues në këtë masë duhet të shohin statusin e tyre dhe nëse kanë nevoje që të paraqesin dokumente shtesë pranë agjencisë, duhet ti dorëzojnë ato deri më datën 18 maj.