Lakër Turshi me Kripë – Sipas Recetës së Vjetër të Traditës

119

Turshitë janë një traditë e vjetër e amvisave shqiptare.

Turshitë përveç se janë plot shije, kanë dhe shumë vlera për organizmin.

Në rastin e turshisë së lakrës, mënyrat për ta përgatitur janë të shumta.

Në këtë recetë sugjeruar nga AgroWeb.org do të gjeni një përgatitje fare të thjeshtë për lakrën turshi me vetëm tre përbërës.

Përbërësit

  • 2 lakra të bardha
  • 5 – 6 lugë gjelle kripë e zezë
  • Ujë

Përgatitja e turshisë me lakër të bardhë

Si fillim duhen pastruar lakrat e më pas me një thikë të mprehtë priteni në copa.

Mjafton që ta ndani në gjashtë apo shtatë pjesë dhe do të keni madhësinë e duhur për përgatitjen e këtyre turshive.

Më pas merrni një enë të madhe plastike dhe vendosni disa copa lakre sa sipërfaqja e fundit e enës.

Hidhini sipër kripë të zezë në formë spërkatjeje.

Më pas shtroni disa copa të tjera lakre e spërkatini me kripë.

AgroWeb.org ju këshillon që këto hapa t’i ndiqni derisa të keni shtruar të gjithë pjesët e lakrës.

Në fund mbulojeni sipërfaqen e enës me gjethet që hoqët në fillim dhe spërkateni përsëri me kripë të zezë.

Mbi lakrën vendosni një pjatë të sheshtë e sipër saj një gur ose diçka te rëndë. Më pas mbylleni me kapak. Pesha e pjatës do të mundësoj që lakra të lëshohet dhe të përthithë kripën me të cilën e keni spërkatur.

Lakra lihet në kripë përreth një ditë të plotë.

Pasi të kenë kaluar 24 orë, hapeni enën plastike dhe duhet të shtoni ujë të vakët derisa lakrat në enë të jenë mbuluar plotësisht.

Kjo metodë shkurton kohën që duhet për përgatitjen e lakrës turshi.

Enën mbulojeni përsëri me kapak dhe vendoseni në një vend të freskët.

Kur të ketë kaluar një javë, lakra turshi do të jetë gati për t’u servirur.

Për ta ruajtur mjafton që ta kaloni në kavanozë qelqi bashkë me lëngun e saj dhe ta vendosni në frigorifer.

Për personat që nuk e preferojnë turshinë e lakrës shumë të kripur, AgroWeb.org ju sugjeron që ta shpëlani përpara se ta përdorni në recetat tuaja.

/agroweb.org