Lejleku i Zi/ Miku i rrallë viziton Shqipërinë, vjen shpendi i mrekullueshëm (FOTOT)

125

Një tjetër shpend i rrallë viziton natyrën Shqiptare. Bëhet fjalë për lejlekun e zi (Ciconia nigra), një shpend i mrekullueshëm i cili shtegton në Shqipëri gjatë stinës së pranverës.

Mesa duket territori shqiptar është kthyer në një oaz paqeje për shumë shpend. Me një relievi të pasur dhe klimë të favorshme, Shqipëria ka kushte të favorshme për t’i dhënë jetë shpendëve të shumëllojshme, ndër to edhe nga ata të rrallët siç është lejleku i zi.

Lajmin e mbërritjes së këtij miku të rrallë në trevat shqiptare e ka dhënë Shoqata Shqiptare e Ornitologjisë (AOS) e cila ka theksuar se këto specie janë të pakta edhe për shkak të sjelljes së tij diskrete.

Ndër të tjera ata kanë theksuar se Lejleku i zi, në ndryshim nga Lejleku, është një shpend vetmitar që e shmang kontaktin me njeriun. Ai preferon pyje të vjetër, të pashqetësuar e me pemë të larta, ku dhe ndërton folenë. Ndërkohë, për t’u ushqyer preferon habitate me ujëra të cekëta si këneta, moçale etj, ku gjuan peshq, amfibë, reptilë të vegjël, insekte, kërminj etj.

Për specialistët është e vështirë vrojtimi i tij, pikërisht nga mënyra e jetëses që ky shpend ka. Por mesa duket kanë qenë me fat ekspertët e AOS, të cilët para ca ditëve panë 3 individë të Lejlekut të zi në zonën e Gjirokastrës.

Kjo specie mund të haset edhe pranë luginave lumore dhe rrjedhave të tjera ujore sikurse në Luginën e Vjosës, Luginën e Drinos, Bunë, Drini i Zi, Përroin e Kardhiqit, Përroin e Bënçës etj. Po kështu, ndër vendet e përhapjes së tij njihen dhe zona si Divjaka, Akërnia, Rezervuari i Thanës, Bulo, Drini i Zi etj, ka theksuar në njoftimin e tyre në facebook ekspertët e AOS.