Parqet kombëtare të Shqipërisë “pushtohen” nga 410 pelikanë kaçurrelë dhe 53 rozë

9

Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) u vrojtua në 5 zona të  Shqipërisë, ndërsa pelikani rozë vetëm në zonën e Parkut Kombëtar të Prespës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se sipas censusit të Pelikanit Kaçurrel të zhvilluar më 8 maj rezultoi se “numri total (i të dy llojeve) më i madh u regjistrua në Parkun Kombëtar të Prespës (PKP), me 214 individë, nga të cilat 161 i përkasin pelikanit kaçurrel dhe 53 pelikanit rozë”.

“Zona e dytë me numrin më të madh të individëve të regjistruar është ajo e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta (PKDK) me 129 individë në total. Nga kjo shifër janë përjashtuar 65 zogjtë e çelur në këtë sezon, që do ta çonte në 194 numrin total të individëve në këtë zonë”,- thekson AKZM duke shtuar se në vendin e tretë është zona e Rezervatit të Menaxhuar Liqeni i Shkodrës (RMLSH) me 34 individë.

Në vendin e katërt është zona e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë (PMVN) me 31 individë dhe në vendin e fundit është Rezervati Natyror i Menaxhuar Kune-Vain-Tale (RNMKVT) me vetëm 2 individë.

“Numri i më i lartë i pelikanëve në zonën e PKP arsyetohet me praninë e 2 kolonive të mëdha të të 2 llojeve që ndodhen në pjesën greke”, – shprehet AKZM.

Më tej, shifra e Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta shpjegohet me praninë e kolonisë së vetme të pelikanit kaçurrel në Shqipëri.

Shifra Rezervatin e Menaxhuar Liqeni i Shkodrës, vijon AKZM, sërish shpjegohet me praninë e një kolonie të vogël të pelikanit kaçurrel në pjesën malazeze të Liqenit të Shkodrës.

Ndërsa shifra prej 31 individëve e numëruar në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë konfirmon edhe njëherë se kjo është zona më e rëndësishme në Shqipëri, jashtë zonave të folezimit, që pelikani kaçurrel frekuenton për t’u ushqyer.