Lëng shege apo portokalli?!

63

Lëng shege apo portokalli…

A janë të gjithë lëngjet e frutave të shtrydhura, të shëndetshëm për sa i përket parandalimit të kancerit? Jo detyrimisht të gjithe…

Një ndër lëngjet më të përhapur dhe të konsumuar botërisht është ai i portokallit të shtrydhur. Vitet e fundit, ky lëng akuzohet për njëfarë lidhje me shfaqien e kancerit të lëkurës –melanomës, një ndër kanceret më të rrezikshëm dhe agresiv, i cili fillon me një nishan dhe pasi arrin një madhësi të caktuar prej vetëm  4mm (diçka që për çdo lloj tjetër tumori do të ishte shumë e vogël), çon në vdekjen e individit në një përqindje 50% brenda 10 viteve.

Të gjitha studimet tregojnë se frekuenca e shfaqjes së melanomave është në rritje të vazhdueshme, konkretisht në vendet e zhvilluara dhe në Shtetet e Bashkuara është dyfishuar.

Për një kohë të gjatë është besuar se kjo situatë lidhet me ekspozimin në diell në fëmijëri. Dhe nuk ka dyshim që ky fakt qëndron, sidomos ekspozimi i fëmijëve në orët 11 paradite deri në 4 pasdite.

Por, me kalimin e kohës, shkenca ka treguar se nuk mund të jetë shkak vetëm qëndrimi nën rrezet e diellit. Për faktin e thjeshtë se ekspozimi në diell është një faktor tepër i vjetër dhe nuk korrespondon ndonjë ndryshim i tij me ndryshimin e shpeshtësisë së melanomave, pra nuk justifikohet vetëm me rrezet e diellit rritja e melanomave.

Lëngu i portokallit dhe melanomat

Në vitin 2010, universiteti i Tenesisë në Memfis, publikoi një studim mjaft interesant, i cili fajëson konsumin e lëngut të portokallit të shtrydhur për këtë epidemi. Është e vërtetë se, lëngu i portokallit është shumë i pasur në “fukumarina” dhe “psoralene” – substanca tepër kancerogjene për lëkurën në prezencë të diellit.

Për më tepër, sipas të njëjtëve shkencetarë, konstatohet se ka një paralelizëm midis konsumit të lëngut të portokallit dhe frekuencës së melanomave. Konsumi i më shumë se një gotë lëng portokalli në ditë u gjet të lidhet me rrezikshmëri më të lartë të kancerit të lëkurës.

Atëherë, nuk duhet të pimë lëng portokalli?

Nuk do të thoshim, por ama, përsonat me predispozitë ndaj kancerit të lëkurës, si ata me ngjyrë lëkure të çelur ose kuqalashet, ata me sy bojë qielli ose jeshil, ata që digjen shumë lehtë në diell në vend që të nxihen, ata që kanë shumë nishane apo ata që kanë familjar që është prekur nga melanoma, bëjnë mirë të mos e teprojnë me lëngun e portokallit, deri sa shkenca të konkludojë ne të kundërtën.

Lëngu i shegës, magjik!

E gjithë kjo kategori njerëzish që përshkrova më lart, bën mirë të preferojë një tjetër lëng “shpëtimtar”, lëngun e shegës. Shumë studime tregojnë se konsumi i bollshëm i lëngut të shegës mund të ngadalësojë zhvillimin e kancerit te prostatës dhe të nxisë “vetëvrasjen” e qelizës – një proces i cili vetëshkatërron qelizat kanceroze, duke penguar veprimtarinë e faktorëve të rritjes, e cila në shumë raste duket të shkojë krah për krah me zhvillimin kanceroz.

Në të njëjtën mënyrë, lëngu i shegës vepron pozitivisht në rastin e kancerit të lidhur me hormone si p.sh. kanceri i gjirit, duke penguar aromatazen- enzimën kyçe në prodhimin me tepri të estrogjenit.

Shega është shumë e pasur në antioksidante, sidomos lëngu i saj dhe lëkura. Veprimtaria antioksiduese e lëngut të shegës është 4 herë më e fuqishme se ajo e verës së kuqe apo çajit jeshil.

Lëngu i shegës pengon shumimin e qelizave kanceroze të zorrës së trashë (në laborator), nga 30% – 100%. Konsumi nga goja i lengut të shegës, nga minj eksperimental tek të cilët është shkaktuar kancer i mushkrive, rezulton në ulje të masës tumorale me një përqindje prej 66%, pas një terapie 6 mujore.

Është shumë e qartë, ky frut është një thesar në parandalimin e kancerit, e vërtetuar kjo tashmë edhe me studime në njerëz. Konsumi i këtij fruti dhe veçanërisht i lëngut të tij ka përfitime të jashtëzakonshme për shëndetin.

A vlejnë lëngjet e gatshme të shegës?

Në fakt, këtu kemi një përjashtim të rregullit se ushqimet e përpunuara humbasin vlerat e tyre. Përpunimi që kërkon përftimi i lëngut të shegës në mënyrë industriale i shton atij antioksidantet e lëkurës dhe siç rezulton nga konstatimet, lëngjet e gatshme të shegës, që tregtohen në markete kanë edhe më shumë antioksidantë sesa lëngu që shtrydhim vetë.

Burimi: Blerina Diet