Mandarinat e Sarandës kalojnë kufijtë, Shqipëria e teta në Evropë për prodhimin e agrumeve

104

Në Sarandë ka nisur eksporti i mandarinave drejt vendeve të rajonit. Zyra e Rajonale e Eksporteve Vlorë, bën të ditur  “se në 5 ditë (nga 05 tetor deri më 09 tetor), nga zona e Konispolit, Sarandë janë eksportuar 120 tonë mandarina, drejt vendeve të rajonit, kryesisht Kosovë dhe Maqedoni e Veriut”.

Shqipëria ka një traditë të konsoliduar në prodhimin e agrumeve (portokaj, limona dhe mandarina), të përqendruar kryesisht në zonat jugore bregdetare të vendit.
Vitet e fundit prodhimi i mandarinave është rritur ndjeshëm. Ato përbëjnë rreth 2/3 e sasisë totale të prodhimit të agrumeve në Shqipëri. Nga më pak se 100 ha tokë që ishte e mbjellë me mandarina në vitin 2005, prej të cilave merrej rreth 1000 tonë prodhim, sot sipërfaqja e mbjellë me mandarina është rritur në 900 ha dhe prodhimi ka prekur shifrën e mbi 30 mijë tonëve në vit.

Rritja e prodhimit vendas të mandarinave ka tkurrur fort importin e tyre dhe ka zgjeruar hartën e vendeve të BE-së ku eksportohen.

Vitin e kaluar (2019) sipas Eurostat, Shqipëria u pozicionua në vendin e 8-të për nga prodhimi vjetor i agrumeve, më mirë se Malta, që ka një sipërfaqe bindshëm më të vogël të kultivimit dhe se Kroacia, vend që ka një klimë aspak favorizuese, si dhe sipërfaqe të vogël kultivimi si rrjedhojë. “Ndërkohë që kryeson Spanja, Italia dhe Greqia për superprodhimin e agrumeve”, sipas agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian.

“Fshati i mandarinave”, oferta për punësim

Në zonën e Konispolit, fermerët kanë krijuar “fshatin e mandarinave”. Superprodhimi i mandarinave në këtë zonë, jo vetëm që ka angazhuar në punësim mbi 1 mijë fermerë të zonës, por ka çelur vende të reja pune sezonale në pikun e prodhimit, siç është aktualisht stina e vjeljeve.

Në zonën e Konispolit ka 3 pika grumbullimi, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e mandarinës së Konispolit tashmë ka gjetur një shpërndarje mjaft të gjerë edhe në tregjet ndërkombëtare. Synimi i fermerëve dhe drejtuesve vendorë tashmë mbetet shtrirja e prodhimit deri në 6 muaj, shtator-mars, duke kultivuar kultura që i përshtaten zonës së famshme për mandarina.

Ndërsa teknologjitë dhe linjat e reja të ambalazhimit që po implementojnë fermerët në këtë biznes, synojnë të shtojnë standardet dhe eksportet e mandarinave “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.