Marigo Posio, gruaja e flamurit

28

Marigo Posio, e njohur ndryshe si gruaja e flamurit, lindi në qytetin e Korçës më 1878. Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara atdhetare. I ati, Kosta Poçi, kishte lidhje farefisnie e sidomos idesh me shumë nga atdhetarët e shquar korçarë, që vepronin brenda dhe jashtë vendit. Marigoja u rrit në një mjedis atdhedashës. Që herët spikat ndër shoqe për zgjuarsi dhe dashurinë për dije. U mësonte vajzave shkrim e këndim, u lexonte poezitë e rilindasve, u mësonte qëndisjen.

Të gjendur nën përndjekjen e turqve, shumë patriotë korçarë u shpërngulën në Vlorë. Ndër ta ishte dhe Marigoja me të shoqin, Jovanin. Këtu nisi më me vrull puna e saj e palodhur për përhapjen e ideve patriotike dhe shkrimit shqip.

Me të ardhur në Vlorë, Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politiko – patriotike dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetare, ku zhvilloheshin biseda për fatin e mëmëdheut e sidomos për gjendjen e keqe të gruas shqiptare. Ajo u mësoi shumë vajzave dhe nuseve të reja vlonjate alfabetin dhe u dha të lexonin gazeta e libra shqip.

Marigoja ka luajtur rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e klubit “Labëria”. Punonte krahas burrave për përhapjen e ideve, botonte në gazeta të ndryshme, mbante letërkëmbime me atdhetarë brenda e jashtë vendit.

Në kujtesën popullore, Marigo Posio, njihet si gruaja që qëndisi flamurin që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë.