Qendra “Sotir Kolea”, hapësirë moderne dedikuar librit

7

Qendra më e re e librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit, pas dëmtimeve nga tërmeti, i është rikthyer lexuesit përmes shërbimit të librave të rrallë, shumë syresh pjesë e bibliotekave personale të konfiskuara gjatë komunizmit.

Teuta Çano nuk e mban mend jetën e saj pa libra. Duket si një trashëgimi e përcjellë nga brezi në brez. Ajo është përgjegjëse e sallës franceze në qendrën “Sotir Kolea”, ndër të parat që u restaurua, duke i hapur udhën shndërrimit të një objekti të harruar në një hapësirë moderne, dedikuar librit.

Nga ana e saj, Çano kujton se godina më parë ka qenë e mbushur me thasë me libra.

‘Salla ishte e ndërtuar me libra të vjetër. Gjetëm libra në thasë të mbyllur në kushte jo të përshtatshme. Këtu kemi komplet libra të përzgjedhur nga përmbajtja. Do të vijojmë me dixhitalizimin”, tha ajo.

Thesaret e Qendrës “Sotir Kolea”, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, tani ruhen në kushte të sigurta dhe mund të lexohen nga të gjithë dashamirësit e librave.

Qendra “Sotir Kolea” mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare, i cili si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri, si dhe për pasurimin e koleksioneve bibliotekare me materiale albanologjike.

Programi EU4Culture i Bashkimit Europian, ka ofruar pajisje moderne që do të ndihmojnë ndjeshëm në ruajtjen e librave dhe leximin e tyre online.

Puna e personelit në Qendrën “Sotir Kolea” është lehtësuar dhe tashmë mund të përpunojnë më shumë libra. Kjo qendër ka përfituar pajisje me vlerë 670 000 euro përmes programit EU4Culture.

Ndihma konsiston në servera të rinj, libra, skanera barkodi, laptopë, tableta, sistem sigurie, pastrues pluhuri, heqës lagështie dhe aciditeti, pajisje për dezinfektimin e librave e pajisje të tjera, të cilat ndihmojnë bibliotekën për të ruajtur, trajtuar e pastruar fondin e saj të librave të rrallë. Një pjesë e këtyre pajisjeve janë unike në vendin tonë. Tashmë një pjesë e konsiderueshme e punës kryhet në mënyrë të automatizuar.

/ata.gov.al