Më 27 mars çelen aplikimet për financim nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi

1

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka nisur punën për jetëzimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi, ku me risitë e këtij viti planifikohen më shumë përfitime për çdo fermer aplikues që plotëson kriteret.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se aplikimi për të përfituar mbështetje financiare nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi hapet më 27 mars.

“Muaji mars është shumë i rëndësishëm për bujqësinë e vendit tonë, për fermerët dhe bujqit, të cilët kanë realizuar me mund produktet e tyre dhe bëhen gati për aplikimin në Skemën Kombëtare të Subvencioneve. Këtë vit Skema e Subvencioneve ka përfitim më të lartë për çdo aplikues, kjo falë prioritizimit që bëhet nëpërmjet bashkimit të operatorëve, një kontratë mes fermerësh për të realizuar të njëjtin produkt drejt të njëjtit treg dhe të njëjtin protokoll sanitar”, u shpreh ministrja.

Për ta konkretizuar, 4 anëtarë janë bashkë me një sipërfaqe toke 1 hektar ata marrin secili prej tyre në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal.

“Ky bashkim operatorësh nuk nënkupton bashkim pronash, por bashkim interesash dhe prodhimi, sepse vetëm kështu ne mund të rrisim shkallë, të rrisim automatizim të produktit dhe mbi të gjitha të synojmë të njëjtin treg”, shtoi ministrja.

Sipas ministres, Skema Kombëtare e këtij viti aplikohet pa tavane.

“Tavane, të cilat më parë limitonin aplikimin për më shumë se sa për shembull 300 krerë bagëti nuk ekziston. Ne do të japim 50% të financimit të çdo mase për çdo krerë bagëti mbi 300, e kështu nxisim më shumë rritjen e tufave dhe punojmë për të realizuar një ekonomi shkalle akoma më të lartë”, tha ajo.

Nafta është një komponent shumë i rëndësishëm i Skemës Kombëtare, e thënë ndryshe subvencioni i drejtpërdrejtë që fermerët marrin prej më se tre vitesh.

“Këtë vit vendosëm që falë edhe kërkesave të shumë aplikuesve të largonim burokracitë, kohën e tepërt dhe ta rimbursojmë atë drejtpërdrejtë në llogari. Kjo do të realizohet gjatë gjithë vitit duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve në këtë Skemë”, shpjegoi ministrja.

Po ashtu, duke qenë se sektori i bimëve aromatike dhe mjekësore angazhon shumë familje në zonat rurale malore, e këtë vit u bë pjesë e Skemës, duke i dhënë mundësinë e aplikimit në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Zyrat e Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësorë (AREB) janë në dispozicion të plotë të çdo pyetjeje, të çdo sqarimi, të bërjes transparencë të çdo elementi të Skemës.

“Ne fillojmë aplikimin e Skemës në datën 27 mars. Deri atëherë zyrat tona janë në dispozicion të plotë të çdo pyetjeje, të çdo sqarimi, të bërjes transparencë të çdo elementi të Skemës, por mbi të gjitha të krijimit të mundësisë për t’u bashkuar, sepse vetëm kështu do rrisim madhësinë e fermës sonë, madhësinë e ekonomisë sonë bujqësore dhe për të kaluar probleme që vit pas viti jemi përpjekur t’i eliminojmë”, u shpreh ministrja.

Synohet të mbështeten 70 000 përfitues.

/ata.gov.al