Media e njohur magjepset nga Shqipëria: Toka e Shqiponjave, det, diell, dashuri dhe mikpritje!

73

“Bregdet me ujëra të kristalta, turizëm mjekësor dhe dëshmi të diktaturës komuniste: atraksione të panjohura të Shqipërisë”, nis shkrimin revista e njohur franceze, “Petit Futé”, që botimin e radhës ia ka kushtuar vendit tonë.

“Shqipëria, një vend mes Italisë dhe Greqisë, ka pasur gjithmonë një shpirt europian. Në 30 vite demokraci, vendi i vogël ish-komunist duket se e ka kapur kohën e humbur dhe kjo vërtetohet kur i afrohesh qendrës së kryeqytetit Tiranë, pasi ke dalë nga aeroporti “Nënë Tereza”. I përmendur vitet e fundit si një destinacion trendi në artikujt dhe guidat turistike, Vendi i Shqiponjave rekomandohet jo vetëm për vijën bregdetare me ujërat e kristalta, por edhe për ecjet e mrekullueshme që mund të bëhen në malet e veriut dhe për gastronominë e tij tradicionale. Produktet natyrore dhe organike të disa rajoneve kontribuojnë për ta bërë atë një nga kuzhinat më të shëndetshme në Europë!”, shkruan për revistën franceze të guidave turistike, Tanguy Revault.

Nga Veriu në Jug, një natyrë që ka gjithçka për t’u pëlqyer

Shqipëria, një territor që ndodhet mes Ballkanit dhe Detit Mesdhe, aspiron të integrohet shumë shpejt në BE dhe ka përfituar prej vitesh nga lëvizja e lirë e njerëzve në zonën Shengen.

Vendi është i famshëm sidomos për mikpritjen e të huajve. Riviera shqiptare shtrihet në më tepër se 100 km nga Vlora në Sarandë.

Në të gjejmë male që dominojnë bregdetin shkëmbor, ndërsa plazhet e Gjipesë dhe Palasës, me rërën e bardhë dhe nuancat e blusë, janë ndër më të bukurat në vend. Parku arkeologjik i Butrintit dhe teatri i tij madhështor romak, i mbrojtur nga UNESCO, është një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore dhe do të jetë pjesë e udhëtimit.

Bukuritë e Veriut si në dimër dhe në verë

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, në zemër të Alpeve, ofron peizazhe të mahnitëse dhe të paprekura, ujëvara, pyje dhe lugina që lënë pa fjalë çdo amator të ecjes malore.

Në Vjosë dhe Osum praktikohet rafting dhe gjatë një ndalese në Përmet, mund të shijohet mish bio, produkte qumështi dhe veçanërisht glikoja e famshm e rrethit që mbetet në majat e artit të kuzhinës.

Ata që janë të dhënë pas historisë duhet të vizitojnë edhe Gjirokastrën dhe Beratin, ndërsa në Korçë gjendet ai që vendasit e quajnë “Parisi i vogël”. Në qytetin antik të Apolonisë, rrënojat dëshmojnë të kaluarën e tij të lavdishme. Dhe pamja përtej kodrave është një burim frymëzimi për ata që pëlqejnë fotografinë.