Miratohet përfshirja e Ditës së Alfabetit në ditët e festave zyrtare

1

Komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”.

Kjo nismë ligjore ka të bejë me përfshirjen e datës 22 Nëntor, Dita e Alfabetit, në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo datë është përkujtimore, jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për Diasporën Shqiptare. Ishte pikërisht dita kur u mblodh Diaspora Shqiptare në samitin e saj të tretë nëntorin e vitit të kaluar ku u lançua edhe angazhimi i qeverisë shqiptare për ta përfshirë këtë ditë në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një nga datat më të mëdha të historisë tonë. Projektligji ka si synim shtimin e një pike në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar” dhe konkretisht shtimin e datës 22 Nëntor si festë zyrtare. Ky projektligj nuk parashikon asnjë efekt financiar në buxhetin e shtetit”, u shpreh zëvendësministrja.

“Do të kemi një ditë tjetër që të përqafohet nga të gjithë trevat shqiptare, siç e ka Maqedonia e Veriut, tashmë edhe ne me alfabetin”, u shpreh relatorja e çështjes, e cila ftoi kolegët të votojnë pro këtij projektligji.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

/ata.gov.al