Mundësi punësimi/ Gjermania jep 10 milionë euro për zhvillimin rural në Shqipëri

65

10 milionë euro të financuara nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik do të injektohen në ekonominë bujqësore shqiptare përmes programit të “Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural”, i cili synon mbështetjen e prodhuesve shqiptarë, zgjerimin e ofertës agroturistike dhe rritjen e punësimit.

Eventi i organizuar sot në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mblodhi institucione publike në fushën e bujqësisë, turizmit, institucione kërkimore dhe arsimore organizata këshilluese, biznese inovative të agrobiznesit dhe OJQ-të përkatëse.

Programi do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2022 dhe zbatohet nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si partnerë kryesorë zbatues të programit që ka një buxhet prej 10 milionë euro.

Grupi i synuar i programit SRD është popullsia rurale, fermerë dhe ndërmarrje të vogla që kanë potencial sipërmarrje, gra fermere dhe emigrantë që duan të punojnë në sektorin rural.

Aktualisht bujqësia zë 43% të punësimit në Shqipëri, ndërkohë që rreth 350 mijë biznese bujqësore janë fermerë me të ardhura të ulëta. Sipas Ministrisë së Bujqësisë Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm rural, ndërkohë që programi 4-vjeçar që përfundon në vitin 2022 pritet të krijojë një model të ri, duke iu dhënë mundësi fermerëve të diversifikojnë aktivitetin në fshat.

Sot turizmi në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor ekonomik për zonat rurale. Ashtu si në bujqësi, turizmi rural mbizotërohet nga biznese familjare të vogla, kryesisht joformale.

Me peizazhin e larmishëm natyror dhe kulturor, agrobiodiversiteti e saj dhe lidhjet e drejtpërdrejta me Europën, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm rurale.