Mundësia është tani/ Keni ide për turizëm? Ja si mund të përfitoni mbështetje financiare

150

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit hap thirrjen për mbështetje financiare të Projekteve në Turizëm.

Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 24 janar deri më datën 23 shkurt, të vitit 2022. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, gjatë periudhës 24 mars deri më 01 dhjetor 2022.

Prioritetet e Thirrjes për mbështetje financiare të Projekteve në Turizëm, janë:

1. Promovimi i destinacioneve, zhvillimi i produkteve turistike dhe brandimi i territorit;

2. Digjitalizimi dhe inovacioni

PRIORITETI-1

Promovimi i destinacioneve turistike e vlerave të veçanta, zhvillimi i produkteve dhe atraksioneve turistike të turizmit malor, rural, shtigjeve, agroturizmit, enoturizmit, aventurës, monumenteve të natyrës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit në industrinë e mikpritjes.

*Tipologjia e aktiviteteve që synojnë arritjen e Prioritetit 1, renditen si më poshtë, por janë vetëm shembuj të cilat nuk kufizojnë tematika të tjera objekt i këtij prioriteti:

a) Promovimi i destinacioneve turistike, marketimi apo brandimi i territorit, nëpërmjet guidave turistike, websiteve, mediave sociale, videove promocionale, veprimtarive me karakter aventuror dhe kulturor, materialeve karakteristike/tradicionale të zonave etj.

b) Promovimi i produktit turistik sipas karakteristikave të destinacioneve turistike, duke përfshirë komunitetet lokale, krijimin e shtigjeve malore, të çiklizmit dhe jo vetëm, krijimin e tureve/paketave demostruese të procesit të realizimit të produkteve tradicionale, si dhe/apo përfshirjen në proces të turistit, etj

c) Promovimi i produkteve turistike tematike që lidhen me produkte të tilla si: oferta e itinerare/rrugë turistike, kulturore, duke u fokusuar në aktivitete sportive dhe/ose sinergjinë e zonave natyrore/trashëgimisë kulturore ose industriale.

d) Promovimi i peizazheve natyrore për qëllime turistike, nëpërmjet identifikimit dhe zhvillimit të vendeve panoramike, fenomeneve të veçanta natyrore, burime të veçanta natyrore, aktiviteteve në natyrë etj.

e) Promovimi i kulinarisë si atraksion turistik, në funksion të turizmit kulinar.

f) Promovimi i “Verës shqiptare” në funksion të enoturizmit, duke organizuar evente/netë degustimi për promovimin e verërave shqiptare;

g) Promovimi i “Specieve endemike” të florës dhe faunës shqiptare në funksion të promovimit të turizmit.

h) Promovimi i “Turizmi i Kujtesës”, identifikimi dhe rijetëzimi për të kthyer në atraksione turistike, objekte apo veprimtari që i përkasin një periudhe historike si: punishte, tunele, bunkerë etj;

i) Promovimi i produkteve turistike të aksesueshme për turistët me nevoja të veçanta duke i përfshirë në aktivitete të natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

j) Projekte të turizmit që respektojnë mjedisin si:

  •  “Gjelbëro dhe pastro”, duke mbjellë pemë për të kufizuar hedhjen e mbeturinave jashtë hapësirave të dedikuara për grumbullimin e tyre, në zonat e plazheve, në parqe natyrore etj.
  • Aktivitete artizanale nga popullsia lokale për krijimin e produkteve me materiale të riciklueshme që mund të shërbejnë si suvenire për turistë.
  • Krijimi i instalacioneve për të mbledhur mbetjet plastike në zonat e plazheve.
  • Ture sportive hiking, kayakë, rafting, shëtitje me varka, etj, pa pagesë për turistë që pranojnë të mbledhin mbetje gjatë itinerarit që përshkojnë.
  • Evente lokale gjithëpërfshirëse me koncerte, lojëra dhe panele diskutimesh për ndërgjegjësimin mjedisor, shoqëruar me kulinari BIO dhe me metoda ekologjike.

k) Turizmi rinor, i cili synon përfshirjen e të rinjve në krijimin e eksperiencave të udhëtimit, turizmit, vullnetarizmit, si dhe aktivitete që promovojnë turizmin.

l) Aktivitete të përshtatura veçanërisht për fëmijët në plazhe, mbi rregullat dhe kujdesin lidhur me notin dhe sigurinë e larjes në det.

m) Edukimin profesional të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit me qëllim rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e shërbimit, nëpërmjet trajnimeve, etj.

n) Mbështetja e strukturave provizore promovuese “Infopoint” gjatë sezonit turistik.

PRIORITETI- 2

DIGJITALIZIMI DHE INOVACIONI

Përmes këtij prioriteti do të mbështeten projekte të cilat nëpërmjet teknologjisë digjitale dhe metodave innovative zhvillojnë komponentë të turizmit si: produktet turistike, atraksionet turistike, infrastrukturën turistike, shërbimin turistik dhe subjektet që zhvillojnë veprimtari turistike.

*Tipologjia e aktiviteteve që synojnë arritjen e Prioritetit 2, renditen si më poshtë, por janë vetëm shembuj të cilat nuk kufizojnë tematika të tjera objekt i këtij prioriteti:

a) Hartëzimi dhe digjitalizimi i burimeve/produkteve turistike;

b) Identifikimi i vendndodhjeve dhe krijimi i itinerareve, hartëzimi/digjitalizimi i tyre për:

  • zhvillimin e sporteve ujore si lundrimi me kajak/kanoe/trap, rafting, etj;
  • zhvillimin e alpinizmit, skive dhe sporteve të tjera dimërore;
  • shënjimi i shtigjeve të reja për ecje dhe çiklizëm, etj.

c) Aplikacione/platforma online që ofrojnë informacion mbi destinacione dhe atraksione turistike dhe krijojnë rrugë komunikimi për një target grup të caktuar;

d) Platformë online të bashkëpunimit për udhërrëfyesit turistikë, në funksion të përmirësimit të cilësisë së shërbimit.