Muzeu “Marubi” në Shkodër tërheq mijëra vizitorë, rritje me 126%

11

Muzeu “Marubi” në një analizë fillimviti për arritjet dhe planifikimet, vuri në dukje se për vitin 2022 regjistroi 15.644 vizitorë, ose 126% më shumë se viti 2021.

Ndërkohë, krahasuar me vitin 2019 (përpara COVID-19) viti 2022 shënoi një rritje prej 12% të vizitorëve me pagesë dhe 30% të të ardhurave nga shitja e biletave. E gjitha kjo, sipas “Marubit”, falë një programi intensiv ekspozitash, bisedash, punëtorish dhe aktivitetesh të tjerash.

Gjatë vitit 2022 në “Marubi” u hapën 5 ekspozita të përkohshme. Një ngjarje e veçantë ishte dhurimi i koleksionit fotografik të bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle i përbërë nga 19.548 negativë, 31 albume brenda të cilëve ndodhen 7995 fotografi të stampuara në formatin 6×9 cm dhe 33 objekte pune të laboratorit fotografik. Ky koleksion fotografik është me i madhi i dhuruar “Marubit” pas viteve ’90.

“Marubi Ese” ishte një risi e këtij viti, platformë online kushtuar hulumtimit shkencor në fushën e historisë së artit dhe fotografisë. Angazhim madhor i këtij muzeu ishte digjitalizimi i plotë i regjistrave dhe dokumenteve të arkivës, prej 16883 faqesh, një proces i filluar në vitin 2014 e i përmbyllur falë programit veror të praktikave mësimore me nxënës së shkollës austriake “Peter Mahringer”.

Sa i përket vitit 2023, Muzeu Marubi parashikon të realizojë 4 ekspozita të përkohshme, 2 ekspozita itinerante, 8 punëtori profesionale, 2 restaurime të objekteve të arkivës e shumë projekte të tjera.