Ndërhyrja që bëri të pavarur Severinon

20

Severinon e gjejmë duke luajtur me top. Ky është aktiviteti më i rëndësishëm për të gjatë kohës së lirë. Futbolli është hobi më i madh i 10-vjeçarit. Ka njohuri për të gjitha ekipet e mëdha, ndërsa lojtari i tij i preferuar është Cristiano Ronaldo. Megjithatë, pavarësisht lidhjes së fortë që ka me topin, sapo sheh Elsën, ai lë gjithçka dhe nxiton drejt saj për ta përqafuar.

Vogëlushi ndjek klasën e pestë dhe banon në qytetin e vogël të Prrenjasit, në një prej lagjeve periferike. Sot ai po kultivon pasionet e tij dhe po i gëzohet mundësive që i janë krijuar në jetë. Ka një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë, e cila të bën të mendosh se ai ka patur një jetë të gëzueshme, por jo të gjitha vitet e tij kanë qenë me kaq dritë dhe shpresë.

“Djali ka lindur me aftësi të kufizuar fizike, me dobësim të muskulaturës. Ka qenë shumë i vogël, kur kuptuam se ai kishte probleme me këmbën e majtë. Ia vendosëm menjëherë në allçi. Nuk kisha shpresë se do të bëhej i pavarur në jetë. Në fillim kishte vështirësi në të ecur. Në terrene të vështira e mbaja në krahë ose karrocë, pasi nuk mund të ecte vetë. Më mbusheshin sytë me lot,”- kujton e emocionuar Liljana, teksa na tregon për rrugëtimin e vogëlushit të saj.

Tre vite më parë, për Severinon dhe familjen e tij, nisi një rrugëtim i ri dhe shpresëdhënës. Vogëlushi u bë pjesë e shërbimit lëvizës të World Vision Albania, duke përfituar çdo javë fizioterapi në shtëpi.

“Para se të fillonte shërbimi i fizioterapisë, djalin e çoja herë pas here në Tiranë. Na duhej të merrnim para borxh, pasi ishim të varfër. Nuk kishim një punë të përhershme dhe as të ardhura nga bujqësia apo blegtoria. Prej ditës që na ka ardhur Elsa (fizioterpistja), familja jonë ka ndryshuar plotësisht,”- thekson e buzëqeshur nëna e vogëlushit, pavarësisht se vështirësitë ekonomike vijojnë të jenë prezente për familjen  e saj.

Prej qershorit të vitit 2022, për Severinon është ndezur një tjetër dritë, pasi ai është bërë pjesë e projektit “Qendër Komunitare për shërbime ndaj aftësisë së kufizuar”. Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me bashkinë Prrenjas, synon t’u vijë në ndihmë 180 fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara.

“Më pëlqen të luaj futboll, por më pëlqen edhe shkolla. Gjuha Shqipe është lënda ime e preferuar. Marr gjithmonë 9-ta dhe 10-ta. Elsa më ndihmon shumë. Çdo javë ajo vjen në shtëpinë time dhe më ndihmon të bëj ushtrime të ndryshme. Më përpara nuk e mbaja dot topin në këmbën e majtë, por pas ushtrimeve që kam bërë me Elsën, arrij ta mbaj topin me të dyja këmbët dhe gjithashtu të eci i pavarur edhe në terrene të vështira,”– na tregon Severino, ndërsa bën ushtrimet bashkë me Elsën.

Të dy, duket sikur kanë një kod të veçantë komunikimi mes tyre. Më së shumti flasin me buzëqeshje dhe më shkëlqimin e syve.

“Edhe gjatë kohës së fizioterapisë, Severinos i pëlqen të luajë me top. Përgjatë viteve të fizioterapisë, Severino ka bërë shumë progres. Tashmë arrin të mbajë ekuilibrin dhe të ecë në mënyrë të pavarur, ka rritje të masës muskulare dhe realizon vetë ushtrimet në shtëpi,”– thekson fizioterapistja Elsa, teksa na tregon për progresin e bërë nga Severino.

Disa nga ushtrimet fizioterapistja ia ka mësuar edhe nënës së Severinos. Ajo punon në mënyrë të pavarur me vogëlushin e saj, ndërsa në ndihmë i vjen edhe vëllai më i madh i Severinos.

Ditët që nuk është Elsa, disa prej ushtrimeve i bëjmë bashkë me djalin. U zhvendosa në qytet për shkak të djalit që të ketë më shumë mundësi, që të shkollohet dhe të ketë shërbimin e fizioterapisë më afër,” – thotë nëna e Severinos.

Deri para 1 viti, familja e Severinos jetonte në një fshat të Prrenjasit, në një banesë të vjetër dhe tërësisht të amortizuar. Kushtet e vështira dhe banesa që rrezikonte shembjen, e bënë të detyrueshme zhvendosjen në qytet në një shtëpi të cilën e kanë marrë me qira. Nëna e Severinos ka arritur të punësohet si rrobaqepëse, ndërsa babai i vogëlushit nuk ka ende një punë. Gjithsesi, lëvizja ka rezultuar pozitive për 10 vjeçarin.

“Tani jeta në qytet është më e mirë. Kam njohur shokë të rinj, me të cilët jo vetëm mësojmë, por edhe luajmë futboll. Shpresoj që në të ardhmen të kemi më shumë hapësira sportive,”- shprehet Severino.

Përveç shërbimit në shtëpi, në kuadër të projektit, Severino do të ketë mundësi të marrë shërbime të specializuara edhe në ambientet e Qendrës Komunitare, por edhe në shkollë. Projekti “Qendër Komunitare për shërbime ndaj aftësisë së kufizuar”, synon që çdo fëmijë/i ri në bashkinë Prrenjas të ketë akses në shërbime cilësore, të cilat i ndihmojnë ata të zhvillohen, të arsimohen dhe ta jetojnë jetën në plotësi.

Projekti 28-mujor është ideuar si një ndërhyrje disaplanëshe, ku ekipi i Qendrës Komunitare së bashku me ekipin lëvizës do të ofrojnë shërbime të rregullta për 180 fëmijë/të rinj me aftësi të kufizuara; në shtëpitë e tyre, në shkollat ku mësojnë, si dhe në Qendrën Komunitare.