Ndryshojnë rregullat për patentat, rastet kur shoferët i nënshtrohen sërish kursit

183

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ndryshuar një sërë rregullash për lejet e drejtimit për drejtuesit e mjeteve. Rregullat e reja do të nisin zbatimin pas botimit në Fletoren Zyrtare por jo më vonë se 1 qershori.

Rregullat e reja përcaktojnë që drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e lejes së drejtimit, ose që u hiqet leja e drejtimit për shkelje të rënda e të përsëritura do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë, e pastaj do të paraqiten për testim teorie dhe praktike pranë DPSHTRR-së. Pse është ky një lajm i mirë? Kjo do të thotë më shumë siguri rrugore dhe rritje e përgjegjësisë për drejtuesit e mjeteve.

Po ashtu, tashmë kalohet direkt nga kategoria B në kategorinë D1 (mbi 21 vjeç) për leje drejtimi për mjete deri 15+1 vende si dhe të drejtë dëshmie taksisti, dhe në kategorinë D (mbi 24 vjeç) pa kaluar më detyrimisht kategoritë C1, C. Gjithashtu në vijim kalohet nga kategoritë C te D e anasjelltas në çdo rast.

Njëkohësisht njihet e drejta për ndihmë të specializuar, nga DPSHTRR ose ekspertë të zyrtarizuar, me zë/lexim ose gjuhë shenjash, për aplikantët për leje drejtimi me aftësi të kufizuara leximi ose dëgjimi që hyjnë në testime teorie e praktike!

Nëse ke kategorinë B dhe je mbi 24 vjeç, kalohet direkt për kategorinë e lejes së drejtimit A (motomjet), pa kaluar më nga kategoritë A1, A2.

Shtohet testi i praktikës për ciklomotorat, kategoria AM (deri 50 cc, jo mbi 45 km/h) si kërkesë e direktivave EU dhe e marrëveshjeve të njohjeve dhe konvertimit.

Institucionalizohet përcaktimi i një kostoje dysheme për kurset në autoshkolla që do të zyrtarizohet çdo fundviti si referencë e detyrueshme, pas një koordinimi zyrtar mes DPSHTRR, DPT dhe përfaqësuesve të autoshkollave.

Njëkohësisht DPSHTRR do të kryejë unifikimin dhe miratimin e materialeve didaktike, manualeve të përgatitjes teorike dhe praktike, fizike e virtual, si dhe disiplinimin e lejes së aktivitetit për hapjen e autoshkollave të reja në rang bashkie apo qarku sipas numrit të popullsisë, forcim i rolit dhe përgjegjësisë së drejtuesit teknik të autoshkollës, uljen e moshës së mjeteve që i shtohen në vijim flotës së autoshkollimit.