Nënshkruhet marrëveshja, 1.4 milionë euro për sektorin e ujit në Shqipëri

75

Është nënshkruar sot në Tiranë, me Drejtorin e Zyrës së KfW-së në Tiranë Björn Thies, marrëveshjen e grantit me vlerë 1.4 milionë euro  për kryerjen e studimeve të fizibilitetit për zbatimin e projekteve në sektorin e ujit.

Këto fonde grant janë dhënë nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF). Fondet do të mundësojnë financime për një paketë studimesh përgatitore për investime për furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të përdorura në kuadër të Programit mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit.

Programi mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë Shqiptare, e mbështetur nga Qeveria Gjermane (e cila ka angazhuar rreth 89 milionë euro për këtë program), Bashkimit Evropian (BE) dhe Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Marrëdhëniet Ekonomike (SECO) dhe do të zbatohet përmes KfW-së.

Programi ka për qëllim që mekanizmin e investimeve të bazuar mbi performancën, që KfW ka zbatuar tashmë me sukses për Programet e Infrastrukturës Bashkiake I-IV, ta ngrejë në nivel sektorial. Programi do të përmirësojë situatën e furnizimit me ujë dhe kanalizime në 11 qytete të përzgjedhur në gjithë Shqipërinë.

Drejtori i Bashkëpunimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Mario Mariani theksoi kontributin që BE ka dhënë për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri përmes këtij granti të WBIF-së si dhe fondeve grant të aprovuara rishtazi për programin ‘BE për një Mjedis më të Pastër – Mbështetje për Trajtimin e Ujërave të Përdorura’ në një shume prej 24 milionë euro.