Ngadalësohet rritja e çmimeve, INSTAT: Inflacion zbriti në 2,3% në mars

7

Inflacioni, i cili mat ndryshimin e shportës kryesore të mallrave të konsumit, ra në 2,3% në muajin mars.

Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) sipas të cilit ndryshimi vjetor në muajin mars është 2,3 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 5,3 %.
Ndryshimi mujor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2024, krahasuar me shkurt 2024 është 0,4 %.

Ky është niveli më i ulët, që nga tetori 2021, përpara se të fillonte një valë rritje çmimesh, fillimisht si rrjedhojë e problemeve në furnizim që krijoi pandemia dhe më pas nga çrregullimet e tregjeve si rrjedhojë e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Inflacioni ka zbritur poshtë objektivit të shënjestruar prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Krahasuar me muajin mars 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 3,5 %, “pije alkoolike dhe duhan”, “veshje dhe këpucë” dhe “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 % secili, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,4 %, “shërbimi arsimor” me 2,3 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 2 %, “shëndeti” me 1,9 % dhe “komunikimi” me 0,2 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 0,3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,4 %, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4 %, “mish” me 3,7 %, etj.

/ata.gov.al