Nis ëndrra “Silicon Valley” për të rinjtë shqiptarë

51

Të rinj shqiptarë të apasionuar pas teknologjisë dhe krijimit të startup-eve të përzgjedhur në projektin e “Startup Program: Roadmap to Silicon Valley” kanë nisur realizimin e ëndrrës së tyre. Programi, nismë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Junior Achievement of Albania (JAA), në partneritet me PROTIK dhe mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka nisur trajnimet online për të rinjtë e përzgjedhur në bazë të ideve të tyre inovatore me disa prej ekspertëve më të njohur botërorë.

Skuadrat start-up të përzgjedhura janë duke u trajnuar edhe nga eksperte te fushave te ndryshme si TIK, biznes, marketing, financë etj.

Në vazhdën e trajnimeve të zhvilluara së fundmi, gjatë kësaj jave ka nisur një seri e re trajnimesh të dedikuara me skuadrat që janë pjesë e programit. Dje u zhvillua trajnimi me ekspertin e njohur Fil Guijarro i cili ndau me të rinjtë shqiptarë një modul mbi “Sales Habits and Sales Message Creation”.

Fil Guijarro është ekspert i njohur në ndihmesën që u jep kompanive digjitale,  veçanërisht në shitje dhe këto njohuri po i ndan me të përzgjedhurit shqiptarë.

Në ditët në vijim, trajnimet do të mbulojnë fusha të tjetra që nga metodologjitë, targetimi i klientëve, procesi i shitjeve etj. Qëllimi është që të rinjtë shqiptarë të njihen me praktikat më të mira botërore në fushën e teknologjisë së informacionit dhe biznesit për të përshtatur idetë e tyre inovatore të tejkalojnë kufijtë e Shqipërisë.

Programi “Roadmap to Silicon Valley”, është një iniciativë e krijuar enkas për t’u dhënë shans të rinjve të talentuar shqiptarë në fushën e teknologjisë së informacionit. Gjatë fazës së parë, dhjetëra të rinj aplikuan mbi idetë e tyre dhe krjimin e startup-eve të reja në TIK dhe të përzgjedhurit janë duke jetuar ëndrrën për të prekur nga afër në përfundim të programit Silicon Valley-n, qendrën globale më të madhe e teknologjisë dhe inovacionit në botë, shtëpi e disa prej gjigandëve teknologjikë si Apple, HP, Google, Oracle, Intel, Cisco, Facebook etj.