Nis puna për pistën më të madhe të parashutizmit në vend, ja ku po ndërtohet

20

Në Funar, rreth 20 km larg Elbasanit ka nisur puna për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.

Kryetari i bashkisë se Elbasanit inspektoi nga afër punimet për projektin “Funari Adventure Park”, të cilin e cilësoi si një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit.

Kjo është pista më e madhe që po bëhet në Shqipëri, ku janë 3000 m2 të rehabilituara totalisht të shtruara me tapetin sipas standardit më të mirë ndërkombëtar, për të pasur një turizëm të qëndrueshëm në Elbasan.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.