Njih Shqipërinë/ Sotire, fshati piktoresk që fsheh thesaret e natyrës

44

Fshati Sotire ndodhet sapo ikën nga Gjirokastra dhe ndjek rrugën kombëtare për në doganën e Kakavijës, në fund të kufirit shtetëror, shtrihet fshati Sotirë pjesë e Bashkisë së Dropullit me plot bukuri të shumta. Eshtë një fshat i rëndësishëm ekologjik dhe me një teren të pasur por të pa shfrytëzuar, i cili ofron stimuj për një mënyrë të vecantë pushimesh e dëfrimi si dhe shumë veprimtari natyrore në të gjitha stinët e vitit. Vizitori mund të merret me të gjitha llojet e ecjeve, si ecje në këmbë, ecje me bicikletë, ecje me kuaj dhe me qëllim që të shijojë kuriozitete e monumente të natyrës si “Bredhi i Sotirës” të cilat janë të shumta e të mahnitshme dhe konsinderohen si perla të natyrës shqiptare. Fshatit i rrisin vlerat pasuria hidrografike, eko-turistike, kulturore pasi ato kanë edhe vlera shkencore. Rreth Sotirës ndodhen gjashtë fshatra piktoreskë si Krioneri, Selio, Llongo, Koshovica dhe Lovina, që i shtojnë vlerën turistike të tyre me produktet bio.

Fshati i Sotirës është një fshat piktoresk që përmban peizazhe tërheqëse, florë dhe faunë të pasur dhe unike, me një ekosistem të njëjtë, me objekte fizike natyrore dhe kulturore që janë tërheqëse për turistët. Roli i ambientit natyror nuk është i përkohshëm dhe i rastësishëm, por i përhershëm dhe që ofron përvojë të mire për turistët dhe i lidh direkt ata me natyrën. Relievi përmban fenomene të pa përsëritshme natyrore, si ato të botës, ato të egër të pa cënuar që ofrohet për eksperienca nga më të lehtat e deri në ato më të vështira, si ecje në dëborë, kacavarje në gryka të thella e në maja të thepisura që kërkojnë përgatitje fizike dhe pajisje të vecanta alpinizmi.

Gjithashtu stina e verës përmban edhe një natyrë të butë me livadhe kundërmuese, me gjelbërim të pa fund bredhash dhe pllajash alpine, me burime të kristalta, me një gamë të gjerë shtigjesh që japin mundësi zhvillimit të aktiviteteve natyrore, ku vizitori mund të provojë mënyra të reja jetese. Turistët mund të përzgjedhin format e relievit sipas dëshirave të veta dhe të eksplorojnë kuriozitetet e natyrës të cilat janë të shumta, si kërkimi i bimëve medicinale dhe luleve të ralla, vëzhgimi i zogjve dhe kafshëve të egra, si dhe ushtrime të ndryshme në natyrë.

Eshtë i aksesueshëm edhe për ata që interesohen për fotografinë, për kulturën dhe historinë, sepse rreth tij ndodhen tre monumente kulture të kategorisë së pare, si rrënojat e kalasë së Selos, Tempulli i Kishës së Shën Thanasit në Selo dhe Kisha e Manastirit të Koshovicës Ai gjithashtu është vend ideal për kampinge dhe për veprimtari shoqërore. Vendndodhja e tij larg rrugës kombëtare e bën atë një vend të qetë.

Aty gjenden burimet turistike natyrore, si monumenti i natyrës “Bredhi i Sotirës” dhe rreth tij monumentet e natyrës si “Rrapi i Koshovicës”, “Rrepet e Mullirit të Selos”, “Rapi i Selos”, “Pylli i gështenjave të Sotirës”. Ai është një fshat i krijuar nga fundi i periudhës bizantine me një arkitekturë të vecantë. Rrugicat me kalldrëm dhe muret rrethuese të oborreve i japin pamjen e një labirinti. Eshtë një fshat intelektualësh dhe njerëzish me shkollë. Ndërtesa e shkolllës me stil dorik e viteve tridhjetë dhe kisha madhështore i japin sheshit të fshatit një pamje monumentale. Aty gjenden pylli i gështenjave, pylli i bredhave, kullotat verore, burimet ujore dhe kopshtaria me patatet e famshme të Sotirës.