Njihuni me Besnikun nga Divjaka, eksportues kryesor i bimëve mjekësore në BE

8

BioBes sh.p.k. është një kompani e cila ndodhet në Divjakë, specializuar në kultivimin, mbledhjen dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Në vitin 2014 Besniku krijoi këtë kompani mbi bazën e fermës familjare që menaxhonte, për t’u shndërruar në një ndër eksportuesit kryesor të BMA- ve, duke eksportuar në Gjermani, Austri, Izrael, Hungari, Greqi, etj.

BioBes bashkëpunon ngushtë me fermat e vogla familjare, janë rreth 400 familje, të cilat kryejnë mbledhjen spontane të BMA-ve dhe sot ka një portofol prej më shumë se 100 produktesh.

Në sajë të mbështetjes nga Skema Kombëtare, ai e ka zgjeruar aktivitetin e tij dhe përmirësuar procesin e kultivimit dhe tharjes së bimëve, përmes një teknologjie të avancuar, duke shmangur humbjen e vlerës së produktit.

Besniku mendon se Shqipëria ka ende shumë potencial për të shfrytëzuar dhe është optimist për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike.

Bimët mjekësore janë një kategori tjetër në strukturën e bujqësisë shqiptare, që vijojnë të kontribuojnë në rritjen e eksporteve bujqësore “Made in Albania”.

Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me 7 % gjatë 5-mujorit të parë vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Kjo rritje erdhi për shkak të kërkesës që pati tregu ndërkombëtar për produktet organike, e cila ndikoi tek eksportuesit që të grumbullonin më shumë nga këto bimë.

Vend kryesor në këto eksporte zunë bimët aromatike dhe mjekësore, teksa u pa një rënie e prodhimit të gështenjës dhe frutave të pyllit.