Njihuni me Sarën, vajza që ktheu artin në biznes: Si arrita të hapja punishten time të dhuratave

73

TIRANE – 19 vjeçarja Sara Sula arriti që pasionin e saj për artin ta kthejë në biznes për të gjithë familjen, ndërsa së fundmi hapi një punishte ku realizon dhurata artizanale.

Nga një tavolinë pune, Sarës i lindin një pafundësi idesh për dhurata.

“Kjo është tavolina ime e punës, punishtja ime e vogël ndërsa këto janë materialet e mia, mjetet e mia të punës. Këto i bëj vetë, duke ngulur gozhdën te kjo copëza e dërrasës, procesi tjetër i punës vazhdon duke ngjyer majën e gozhdës në bojë akriliku dhe më pas vijoj duke pikturuar”, tregoi artistja Sara Sula.

Lëndën e parë e siguron nga babai, ndërsa e ëma me vëllezërit e ndihmojnë që t’i realizojë sa më shpejt punimet artizanle.

Ishin vizatimet dhe pikturat që zbuluan talentin e saj për të bukurën.

“Në fillim vetëm vizatoja dhe pikturoja në telajo por pastaj mendova që këto ti fus në disa materiale të tjera siç është guri dhe druri. Isha futur shumë te dotolizmi. Për ta qartësuar dotolizmi është një metodë e cila ka si fokus pikat me ngjyra të akrilikut”, tha e reja.

Për më shumë se tre vjet, shtëpia e familjes Sula ishte kthyer në një punishte, ku Sara realizonte porositë e ardhura nga rrjetet sociale, si bizhuteri, kartolina, piktura në gurë dhe jo vetëm. Tashmë ajo ka biznesin e saj.