Numri i vizitorëve në strukturat akomoduese në shkurt, rritje prej 27.2 %

2

Numri i vizitorëve në strukturat akomoduese në të gjithë vendin shënoi rritje prej 27.2 % në muajin shkurt, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2022.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave mbi strukturat akomoduese, numri i vizitorëve rezident është rritur me 5 %; ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 66,2 %.

Raporti i INSTAT-it, tregon se numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 6.2 %, në krahasim me shkurtin e 2022. Por sipas të dhënave numri i netëqëndrimeve nga rezidentët ka rënë me 0.6 %, ndërsa numri i netëqëndrimeve nga jo-rezidentët është rritur me 12.8 %.

Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 98.1 %. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 74.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Po ashtu, rezulton se numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë me 66.3 %.

Ndërkohë, numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 17.4 %. Në zonat jo-bregdetare ky tregues është rritur me 24.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Referuar INSTAT-it, numri i netëqëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra” ka shënuar rritjen më të lartë me 2.3 herë.

/ata.gov.al