“Open Cinema” në Gjirokastër, ja filmat që do shfaqen në qytetin e gurtë

16

Në Gjirokastër zbriti eventi i rradhës i “Open Cinema”. Ngjarja që vjen për të dytin vit rradhazi është çelur në odeonin e qytetit nga producenti dhe kineasti Skënder Jaçe.

Ai tha se magjia e kinemasë do të sjellë nostalgji, filma të shkëlqimit të kinemasë shqiptare para dhe pas viteve 90, por edhe shumë filma të huaj. Edukimi i publikut me këtë shfaqje të hapur në natyrë i rrit qytetet, ajo është pjesë se civilizimit shoqëror, tha producenti.

Filma si “Muaji i mjaltit”, “Zonja e panjohur” apo “Balkan Pazar” nga Edmond Budina janë pjesë e programit me titrim në anglisht për të tërhequr edhe vizitorët e huaj. Filma të tjerë si “Të thyer”, “Të ardhur nga ëndrrat” apo “Delegacioni” do të jenë pjesë e takimit 4 ditor me kinemanë.

Kudret Aliko kreu i Drejtorisë së Kulturës në Bashkinë e Gjirokastrës tha se eventi është mes ngjarjeve kryesore që bashkia mbështet përgjatë verës dhe po bëhet pjesë e kalendarit të natyrshëm kulturor të Gjirokastrës.

“Open Cinema” vjen sërisht nën prezantimin e Silvana Braçes dhe shoqërohet nga muzikantë të njohur dhe ritme lokale. Gati gjysma e publikut të natës së parë të “Open Cinema” ishin turistë të huaj që po kalojnë pushimet në Jug të vendit.