Oraret e reja, si do të punojë administrata? Ata që kanë fëmijë në shkollë, orar pune në varësi të orëve të mësimit të fëmijës

109

Brenda 10 ditësh, admininistrata publike do të punojë me një orar të ri dhe sipas një grafiku të përshtatur në kushtet e pandemisë.

Referuar vendimet, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID–19 institucionet janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet nëpunësve/punonjësve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit;

Vendimi përcakton gjithashtu se institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm/titullari i institucionit.

Si do të përcaktohet grafiku

Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit, evidentimin e rasteve të nëpunësve/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19 si dhe në evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari ligjore fëmijë deri në moshën 14-vjeç.

Për periudhën e kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020–2021, orari i punës për nëpunësit/punonjësit që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit. Orari i punës për këta nëpunës/punonjës gjatë kësaj periudhe, përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin.

Vendimi ngarkon Departamentin e Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe secilin institucion të pavarur e njësi e vetëqeverisjes vendore për institucionin e tyre që, brenda 10 (dhjetë) ditësh nga miratimi i këtij vendimi, të miratojnë rregullat dhe procedurat standarde të punës të harmonizuara, në përputhje udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik.”.