FOTOT/ Vrojtimi i shkabës (Gyps fulvus) në peizazhin e mbrojtur lumi Buna-Velipojë

28

Ekipi i PPNEA diten e djeshme u përball me një nga vrojtimet më interesante përsa i takon jetës së egër. Bëhet fjalë pikërisht për shkabën (Gyps fulvus), lloj që mbart statusin “CR”, sipas listës së kuqe të vendit tonë, ndërkohë nuk folezon më në Shqipëri. Ky lloj është vrojtuar duke u ushqyer me kërma për një periudhë relativisht të gjatë në peizazhin e mbrojtur lumi Buna-Velipojë, në rajonin e Shkodrës.

Shkaba e vrojtuar në Shkodër, dyshohet të jetë individ i kolonive fqinje të vendit tonë ku mund të përmenden ajo në Serbi, Kroaci, por pa përjashtuar dhe Greqinë, duke ditur që ky lloj është endacak dhe mund të bëjë rrugë apo udhëtime mjaft të gjata.

Ky nuk është rasti i vetëm që individë të këtij lloji janë vrojtuar në vendin tonë. Vrojtime të tjera të ngjashme për këtë lloj janë bërë më të shpeshta, kjo falë dhe teknologjisë së përdorimit të transmetuesve satelitorë që bëjnë të mundur gjurmimin e këtyre llojeve në çdo kohë dhe çdo vend, ku mjafton të përmenden raportimet e bëra së fundmi në afërsi të Tiranës, parkun kombëtar të Dajtit dhe në zonën e Koplikut.

Vrojtime të tilla na tregojnë se shpendët dhe masat ruajtëse për to nuk kanë kufij./ PPNEA