Pagesa dhe ushqime në shtëpi/ Ndihma për pensionistët, familjet në nevojë e të prekurit nga tërmeti

570

Në kushtet kur qeveria ka vendosur kufizim të lëvizjeve për të kontrolluar përhapjen e coronavirusit, paralelisht ka miratuar një plan për dërgimin në banesë te pagesave mujore të qytetarëve që përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga sigurimet shoqërore dhe njëkohësisht për dërgimin e produkteve, ushqimore e joushqimore, minimale, barnave të rimbursueshme dhe atyre me kërkesë, për përballimin e situatës apo në kryerjen e furnizimeve me produktet e mësipërme, për llogari të tyre.

Vendimi që u vjen në ndihmë në këtë përiudhë shtresave në nevojë, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka marrë fuqi ligjore. Konkretisht përfitues të këtij trajtimi do të jenë: personat/familjet, të cilët nuk kanë familjarë të aftë për punë në njësinë administrative ku jetojnë, dhe që bëjnë pjesë në grupet, si Familjee/individë në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike;  Personat me aftësi të kufizuara;  Personat, të cilët përfitojnë pension pleqërie.

Po ashtu përfitues janë dhe personat, të cilët, pavarësisht përbërjes familjare dhe vendndodhjes së saj, janë familjet/individë në nevojë, të cilët janë të pastrehë; apo familjet që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit.

Referuar vendimit, përcaktimi i masës së produkteve, ushqimore dhe joushqimore, minimale, dhe i llojit të ndihmës kryhen me vendim të Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës, të ngritur për këtë qëllim, dhe  ndërsa prefekturat, dhe bashkitë, do të përpilojnë listat e subjekteve përfituese, brenda tre ditëve, dhe pas miratimit të tyre do marrin përsipër shpërndarjen e ndihmave. Ndërsa pagesat mujore do të shpërndahen nga Posta Shqiptare.