Sot shënohet 100-vjetori i lindjes së koreografit të mirënjohur dhe pedagogut Panajot Kanaçi, i cilësuar si “magjistari i valles shqipe”.
Kanaçi lindi më 2 gusht 1923. Ai kreu studimet e larta për baletmaester në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, e më pas ishte drejtor artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit.
Me koreografinë e baletit të parë shqiptar “Halili e Hajria” (1963, me muzikë të Tish Daijës), Kanaçi u bë themeluesi i artit koreografik kombëtar.
Për këtë koreografi u nderua më 1964-ën me Çmimin e Republikës të Shkallës I, me motivacionin: “Për vënien në skenë të baletit të parë kombëtar “Halili e Hajria” dhe merita të shquara në fushën e koreografisë”.
Panajot Kanaçi interpretoi një sërë rolesh kryesore ku veçohen baletet “Shatërvani i Bahçisarajt” (1951) dhe “Esmeralda” (1953).
Në fushën e krijimtarisë koreografike popullore të përpunuar, Panajot Kanaçi ka dhënë një kontribut me plot vlerë. Trupa e balerinëve dhe e valltarëve, e krijuar dhe e drejtuar nga mjeshtri Kanaçi, kudo që përfaqësonte Shqipërinë rrëmbente plot duartrokitje dhe vlerësime, ku padyshim merita më e madhe i takonte atij.
Kanaçi ishte lëvrues i palodhur i valles popullore, duke arritur nivele të larta përpunimi si “Vallëzimi i shqipeve”, “Valle labe”, “Valle myzeqare” etj.
Panajot Kanaçi ndërroi jetë në vitin 1996.
/ata.gov.al