Parku i Tomorit, rritje e konsiderueshme e individëve të dhisë së egër

7

Dhia e egër, një nga kafshët më të rralla në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit, është dokumentuar sërish nga banorët e zonës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot pamje nga dhia e egër në këtë park.

“Gjithmonë e më shumë në park, po dëshmojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të individëve të këtij lloj”, theksoi AKZM.

Moratoriumi i gjuetisë në Shqipëri ka bërë që të shtohen numri i dhive të egra në Shqipëri dhe kryesisht në këtë park.

Dhia e egër ballkanike – (Rupicapra rupicapra) i takon klasës së gjitarëve (Mammalia) në radhën e çiftthundrakëve (Artiodactyla). Mund të arrijë lartësi deri në 80 cm, dhe gjatësi deri në 130 cm, ndërsa disa meshkuj më të fortë arrijnë peshë edhe deri në 40 kg. Femrat në krahasim me meshkujt janë më të vogla dhe me peshë më të vogël. Ushqimi i saj përbëhet prej bimëve barishtore, gjethet e reja të shkurreve të larta malore, manaferrat dhe mjedrat.

Në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit jeton në ekosisteme natyrore dhe gjysmë natyrore me bar të thatë dhe në habitate shkëmbore. Dhia e egër është e mbrojtur në dokumentin Evropian “Direktiva për vendbanime II/IV”.

/ata.gov.al