Në verën e vitit 1914, Europa ishte shndërruar në teatër të një lufte që shihte përballë dy aleanca të mëdha: Britania e Madhe, Franca dhe Rusia nga njëra anë; Gjermania, Austro-Hungaria dhe Turqia nga ana tjetër. Më vonë do të hynin në konflikt edhe Bullgaria, Japonia, Italia, Shtetet e Bashkuara si dhe një seri vendesh “të vegjël”, duke e transformuar kështu luftën në shkallë globale.
Në fillim, fronti më i nxehtë ishte pikërisht ai perëndimor (mes Belgjikës dhe veriut të Francës) ku anglezët, francezët dhe belgët duhej të pengonin përparimin e gjermanëve. Pas një beteje të përgjakshme pranë Ypres, në fund të vjeshtës ushtritë u gjendën të mbërthyera në një luftë që luftohej e gjitha përreth llogoreve.
Nga këta hendeqe të thellë disa metra dhe të përforcuar me tryeza prej druri, ushtarët hidheshin përditë në sulm kundër armikut, duke fituar dhe lëshuar çdo herë disa pak metra terren dhe duke e kaluar pjesën tjetër të ditës mes baltës, shiut dhe kufomave që dekompozoheshin. Këto kushte ishin për të gjithë dhe “e keqja e përbashkët” provokoi shumë shpejt episode solidariteti mes armiqve (që ndodheshin vetëm disa metra larg nga njëri-tjetri).
Ushtarët e dy ushtrive nisën të shkëmbejnë disa “ndere”, si përshembull moshapja zjarr gjatë vakteve të ngrënies. Ajo që kish rëndësi ishte të ruhej aparenca me eprorët (rrezikohej të akuzoheshin për tradhëti) dhe kthimi shëndoshë e mirë në shtëpi.
Detyra e ndëshkimit të ushtarëve që ishin treguar shumë të pajtueshëm me armiqtë u takonte zyrtarëve të komandës, të vetmit që mundeshin të vendosnin një armëpushim. Megjithatë, një rregull i tillë në Ypres dhe në zona të tjera të frontit u shkel në dhjetorin e 1914.
Pasi u kishin dhënë urdhër trupave që të mos ndërprisnin për asnjë arsye luftimet, komandat e dy ushtrive dërguan në vijat e para të frontit pako të vogla dhuratash ku kishte ëmbëlsira, pije, duhan, pemë të vogla krishtlindjesh dhe qirinj. Në Ypres, mbrëmjen e Krishtlindjeve gjermanët braktisën pozicionet duke shkëmbyer urime; në ndonjë llogore dikush këndonte Stille Nacht, Silent Night për anglezët. Që nga ai moment, e në një pjesë të mirë të mbrëmjes ushtarët e të dy ushtrive nuk pushuan së kënduari, secili në gjuhën e vet dhe secili në pozicionin e vet.
“Kur zbukuruam pemët dhe kur ndezëm qirinjtë, nga ana tjetër dëgjuam fërshëllima gëzimi dhe duartrokitje […]
Më pas kënduam të gjithë bashkë”, dëshmonte pas luftës ushtari gjerman Kurt Zemich, në librin “Natë e heshtur: Historia e armëpushimit të Krishtlindjeve në Luftën e Parë” me autor historianin Stenli Uaintraub, i cili e rindërtoi këtë ngjarje në vitet tetëdhjetë. Në momentin që shkuan të flejnë pak, të gjithë ishin të bindur se po ndodhte dicka e jashtëzakonshme: në fakt, në mëngjes gjermanët nxorrën kartonë të vegjël ku kishin shkruajtur “Gëzuar Krishtlindjet” dhe “Mos qëlloni, ne nuk do të qëllojmë”. Ishte sinjali i fillimit.
Rifilluan këngët dhe duartrokitjet, më pas nga llogorja gjermane doli një burrë: në mes të mjegullës anglezët mezi e dallonin, ndonëse mjaftonte për të kuptuar se nuk ishte i armatosur. Britanikët, të shkujdesur dolën nga pozicionet dhe ecën drejt gjermanëve, që bënë të njëjtën gjë. “Pashë gjënë më të jashtëzakonshme: për pak sa po e qëllonim atë gjermanin, dhe pas pak ishim të gjithë në festë”, shkruante ushtari anglez Dagën Carter në një letër drejtuar familjes.
Pasi varrosën trupat e të rënëve në ditët e fundit, të dy grupet u vëllazëruan, duke përgatitur një festë sipas të gjithë rregullave. “Fritz solli cigare dhe konjak, Tomi solli mish viçi dhe cigare”, këndon Mike Harding në këngën e tij. Pa sajuar asgjë: në ditarin e kampit të regjimentit 133 sakson flitet në fakt për një gjerman me emrin Fritz dhe gjithashtu edhe për Tommyn, një ushtar anglez i cili u ofrua t’u priste flokët armiqve në këmbim të cigareve. Përreth tij të gjithë shkëmbenin përqafime dhe vizita kortezie. Anglezë dhe gjermanë dhuronin njëri tjetrit kafe dhe cokollata, marmelatë dhe cigare, caj dhe uiski. Kishte madje nga ata që bënin fotografi në grup. “Nuk pati as edhe një moment të vetëm urrejtje: për një çast askush nuk mendoi për luftën”, thoshte ushtari britanik Brus Bairnsfather. Pothuajse si një skenë filmi.
Përpara se të ndërhynin komandat e larta për të ndaluar armëpushimin, ushtarët bënë një pakt solemn: në rast të rifillimit të luftimeve, askush nuk do të shënjestronte në gjatësinë e njeriut, por do të bënin josulmuese municionet duke “qëlluar yjet lart në qiell”. Ndërkohë, lajmi për armëpushimin u përhap, dhe brenda pak orëve ethet e armëpushimit pushtuan dy të tretat e frontit të perëndimit: pothuajse kudo anglezë dhe gjermanë shtrënguan duart dhe festuan sëbashku.
Simboli i asaj Krishtlindjeje të pazakontë lufte u bë ndeshja e futbollit që u zhvillua në Ypres mes trupave angleze të regjimentit kocez dhe atyre gjermane të regjimentit sakson (por atë ditë në të vërtetë pati më shumë se një ndeshje futbolli). Topat u bënë duke bashkuar copa me qese plot me rërë të lidhura me spango, ndërkohë që portat u sajuan me pirgje kapotash: për pak orë, “toka e askujt” u transformua në një fushë futbolli.
Në ditët që pasuan, familjarët e ushtarëve u mbushën me letra dhe foto të kësaj ngjarjeje, që përfunduan në të përditshmet e asaj kohe. Shtypi (që i nënshtrohej censurës) e vonoi megjithatë botimin e lajmeve të parë të cilat gjithësesi dolën vetëm tek Nju Jork Taims. Në atë pikë u zgjua edhe shtypi europian, dhe në 1 janar të vitit 1915 londinezja Tajms botoi një artikull për atë ndeshje, duke treguar edhe rezultatin përfundimtar: 3 me 2 për gjermanët. Lajmet mbi armëpushimin filluan të gjejnë ndërkohë gjithnjë e më shumë hapësirë në gazetat e Europës veriore, me tituj euforikë dhe prekës si: “E jashtëzakonshme: gjermanë dhe anglezë shtrëngojnë duart”.